Dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar, duke përkujtuar përvjetorin e dytë të ngjarjes së rëndë që tronditi vendin më 24 shtator 2023.
Në një deklaratë publike, ambasada thekson se kjo ditë mbetet një kujtesë e dhimbshme për humbjen e jetës së zyrtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe një thirrje e fuqishme për drejtësi.
“Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ambasada vlerëson profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës për ndërhyrjen në rivendosjen e rendit, si dhe angazhimin e prokurorëve kosovarë në ndërtimin e aktakuzës kundër autorëve të sulmit.
Megjithatë, zhgënjimi për mungesën e drejtësisë mbetet i thellë. Ambasada shpreh pakënaqësinë që autorët e këtij akti ende nuk janë përballur me drejtësinë, duke përmendur në mënyrë të veçantë Milan Radoiçiqin, i identifikuar si një nga organizatorët kryesorë të sulmit.
“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë arrestuar dhe sjellë para drejtësisë, dhe ne përsërisim thirrjen ndaj autoriteteve serbe që të veprojnë sa më shpejt,” përfundon deklarata.

