Nën masa të rrepta sigurie, i akuzuari për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt, Naim Murseli, është sjellë sot i prangosur në sallën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Seanca gjyqësore po zhvillohet në kuadër të procesit ndaj Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij në nëntor të vitit 2023.
Gjatë seancës, gjykata pritet të shqyrtojë provat e reja dhe të dëgjojë dëshmitë e radhës, ndërsa në sallë janë të pranishëm familjarë të viktimës dhe të akuzuarit.
Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.
Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme.
Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.