Profesori universitar dhe ish-anëtari i Senatit të Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj një ideje të përfolur për nderimin e kryeministrit Albin Kurti nga Universiteti i Prishtinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij, duke kujtuar episode të dhunshme të lidhura me aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në ambientet universitare. Ai vlerëson se një çmim i tillë ndaj liderit të LVV-së do të përbënte një rehabilitim të dhunës dhe një fyerje për autonominë e universitetit.
“Albin Kurti dhe LVV njihen si dhunues brutalë të Universitetit të Prishtinës. Sulmi ndaj ish-rektorit Mujë Rugova në kremten e Universitetit ka qenë poshtërim për gjithë universitetin,” shkruan Krasniqi.
Ai kujton momente të rënda të protestave të mëparshme, duke përmendur me emër edhe personalitete të shquara që, sipas tij, kanë qenë dëshmitarë të akteve të papranueshme në ambientet universitare.
“Si sot mbaj mend fytyrat e Naim Tërnavës, Rifat Jasharit, Islam Laukes, të bëra sterrë nga dëshpërimi, nga ai akt vandal i aktivistëve të LVV.”
Profesori thekson gjithashtu protestën e dhunshme të vitit 2015 në oborrin e universitetit, të cilën e cilëson si “dhunim brutal të autonomisë së Universitetit të Prishtinës” dhe si “tentativë që të shkaktohej gjakderdhje”, duke theksuar edhe rastet e sulmeve ndaj policëve gjatë asaj kohe.
Duke reaguar ndaj idesë së nderimit të Kurtit nga UP, Krasniqi është i prerë në qëndrimin e tij:
“Nëse në këtë universitet i jipet çmim liderit të LVV, Albin Kurtit, i bie që po shpërblehet dhuna, po vlerësohet vandalizmi.”