Shqiprim Arifi ka reaguar ashpër ndaj qasjes politike të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për politika që, sipas tij, po i shërbejnë interesave të Serbisë dhe Rusisë, si dhe po e izolojnë Kosovën nga aleatët e saj strategjikë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një shkrim të publikuar, Arifi thekson se për pesë vite me radhë ka paralajmëruar për pasojat e politikave të Kurtit, të cilat sot, sipas tij, janë bërë të prekshme. Ai vlerëson se Kosova, si popull tradicionalisht pro-amerikan, po përballet me trajtim diskriminues nga SHBA-ja, duke u përfshirë në lista kufizimesh, ndërkohë që Serbia, sipas tij, nuk është subjekt i masave të tilla.
“Është ironi e rëndë që vendi që na çliroi nga Serbia sot na vendos kufizime, ndërsa Serbisë jo. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një politike antiamerikane që na ka larguar nga aleatët tanë strategjikë”, ka shkruar Arifi.
Ai thekson se dëmi i shkaktuar nga kjo qasje politike nuk është vetëm diplomatik, por po cenon seriozisht shtetin e Kosovës, i cili, sipas tij, është ndërtuar me mund, sakrificë dhe gjak.
Arifi nuk e ka kursyer as elektoratin, duke e konsideruar pjesë të problemit votën emocionale, të bazuar në inat, urrejtje apo kult individi, e jo në programe, strategji dhe interes shtetëror. Sipas tij, një qasje e tillë nuk përbën patriotizëm, por vetëdëmtim.
Duke ironizuar diskursin për sovranitetin në veri, Arifi shprehet se ndërkohë që flitet për forcim të shtetit në një pjesë të vendit, dobësimi po ndodh gjithandej. Në fund, ai e përmbyll reagimin e tij me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisjes aktuale, duke e cilësuar atë si “amatore”.

