Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka vazhduar paraqitjet e shkëlqyera në arenën ndërkombëtare, duke siguruar medalje në Grand Slamin e Parisit, pas kualifikimit në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë.
Në xhiron e parë, Krasniqi ishte e lirë, ndërsa në ndeshjen e dytë tregoi dominim të plotë duke e mposhtur me Ippon xhudisten franceze Alicia Marques.
Rrugëtimi i saj drejt finales vazhdoi me një fitore të rëndësishme ndaj brazilianes Larissa Pimenta, çka i siguroi vendin në gjysmëfinale. Në këtë fazë, Distria triumfoi ndaj një tjetër francezeje, Amandine Buchard, duke vulosur kualifikimin në finalen e madhe.
Me këtë sukses, Krasniqi e ka tashmë të garantuar medaljen e nëntë në Grand Slamin e Parisit, ndërsa në koleksionin e saj numëron edhe një medalje olimpike të fituar po në kryeqytetin francez. Xhudistja kosovare sot synon të shkruajë edhe një tjetër faqe historie, duke luftuar për medaljen e dhjetë në Paris.

