Gjatë spektaklit të mbrëmjes së kaluar në Big Brother VIP Kosova, banorja Elijona ndau me publikun një histori të dhimbshme nga fëmijëria e saj, duke shkaktuar emocione të forta tek banorët brenda shtëpisë dhe tek shikuesit jashtë saj.
Elijona rrëfeu se gjithçka kishte nisur në një moshë shumë të hershme, kur ajo ishte vetëm nxënëse e klasës së dytë, duke vënë në pah dallimet mes ligjeve gjermane dhe atyre në Kosovë. Sipas saj, disa situata të përsëritura në shkollë u interpretuan si neglizhencë prindërore nga autoritetet gjermane.
“Mami është dashur të shkojë në shkollë te motra dhe ka ndodhur që dy-tri herë të më harrojë në shkollë. Edhe pse shkollën e kisha afër, në Gjermani nuk lejohet të ecësh vetëm për në shtëpi kur je në fillore,” u shpreh ajo gjatë rrëfimit.
Ajo shtoi se edhe mospërmbushja e rregullt e detyrave të shtëpisë ishte parë si shqetësim nga ana e mësueses dhe shërbimeve sociale, ndonëse, sipas saj, ishte rritur në një ambient plot dashuri. “Kjo ka qenë arsyeja pse shkolla ka vendosur të më largojë prej familjes,” tha Elijona, dukshëm e prekur emocionalisht.
Megjithatë, pas transmetimit të këtij rrëfimi ka ardhur një reagim nga daja i saj, Valon Zhubaj, i cili e ka kundërshtuar publikisht versionin e Elijonës. Ai e ka quajtur rrëfimin e saj të pavërtetë, duke deklaruar se arsyeja e vërtetë e ndarjes së saj nga familja ka qenë dhuna e ushtruar nga babai ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes së tij.
Këto deklarata kontradiktore kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa mbetet të shihet nëse palët do të sqarojnë më tej versionet e tyre për këtë ngjarje të ndjeshme.

