Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj nominimit të Glauk Konjufca për President, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin me paramendim drejt zgjedhjeve të reja.
Në një postim publik, Bajrami ka thënë se Kurti e ka propozuar Konjufcën duke e ditur që nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend, me qëllim që procesi të dështojë dhe vendi të përfundojë sërish në zgjedhje.
“Pyetja me të drejtë shtrohet: Për çka?”, ka shkruar ajo, duke shtuar se edhe në rast të zgjedhjeve të reja, partitë politike shqiptare do të detyrohen sërish të ulen dhe të merren vesh për emrin e Presidentit.
Sipas Bajramit, një proces i tillë do të nënkuptonte humbje kohe prej disa muajsh dhe shpenzim të dhjetëra milionave euro nga buxheti i shtetit, pa sjellë zgjidhje të re politike.
Deputetja e LDK-së ka akuzuar Kurtin se nuk synon stabilitet institucional, zhvillim ekonomik apo avancim të shtetësisë së Kosovës, por, sipas saj, krijimin e “tymës, mjegullës dhe amullisë”, me institucione me ushtrues detyre dhe parlament jofunksional.
Në fund të reagimit, Bajrami ka përdorur tone të ashpra ndaj kryeministrit, duke e cilësuar atë si dëmtues të interesave të vendit.

