Nga Mentor Nazarko
Një shahist profesionist që ka qëndruar me Albin Kurti më thoshte dikur se ai e njeh mirë Mbrojtjen Karo-Kan, dëshmi se ka bazament të mirë teorik në shah dhe durim strategjik. Përtej kuriozitetit se ku e ka mësuar lojën dhe cilët kanë qenë mësuesit e tij, është shumë e qartë se mënyra se si ai luajti politikisht vitin që shkoi – kur u rrit elektoralisht në fundvit – ishte fituese.
Duket qartë, po ashtu, se edhe në procedurën që ka nisur për zgjedhjen e presidentit ai po ndjek skenarë të ngjashëm e të pamëshirshëm: asnjë lëshim; shtyrje e opozitës deri në buzë të humnerës; kërcënim me skenarin e zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet krizës që do të krijohej nga shpërndarja e parlamentit, nëse ai dështon ta zgjedhë presidentin, etj. Dhe gjasat janë që të ketë sukses, nëse shihet mënyra si kanë reaguar lojtarët përballë tij, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza: kanë pranuar takime kokë më kokë; nuk kanë ofruar asgjë strategjike, përveç deklarimeve se nuk tërhiqen apo nuk bëhen pjesë e lojës së kundërshtarit të tyre, Kurtit. Fundi? Asgjë.
E gjitha kjo po ndodh ndërsa Kurti po tregon përgjithësisht vetëpërmbajtje: as triumfalizëm për rezultatin e arritur në zgjedhje, as denigrim të kundërshtarit. Një rishpikje e vetes – pasi ka provuar të jetë rugovist; referues ndaj UÇK-së; mbrojtës entuziast i idesë për të vendosur familjen Jashari në fronin e presidencës; i ftohtë dhe reticent me ish-partneren e vet institucionale, Vjosa Osmani; promovues i zgjerimit të programit të mbrojtjes deri në një miliard euro në vit, etj. – duke pritur se ku do të gabojë opozita e përçarë, pasi ka mbledhur informacione nga prirjet e tyre në takimet kokë më kokë.
Karta paradoksale e opozitës
Megjithatë, opozita ka një kartë që duket paradoksale, por që mund ta fuqizojë atë. Mund ta fuqizojë shtetin e Kosovës ndërkombëtarisht, por edhe institucionalisht, nëse realizohet. Në kushtet e një modeli kushtetues të deformuar nga vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në çështjen Pacolli – që imponon në mënyrë absurde kuorumin prej dy të tretave në dy raundet e para – krijohet një krizë ciklike, nëse nuk korrigjohet sipas modelit të republikave të tjera parlamentare.
Cila është karta? Të ngrihet mbi vetveten. Të duket sikur humb sot, por të fitojë nesër, bashkë me Kosovën: të propozojë Vjosa Osmani për një mandat të dytë.
Osmani ka pasur luhatje në mandatin e parë; e ka privilegjuar shpesh Kurtin; i është bashkuar komunikimit të tij në planin ndërkombëtar; i ka krijuar agjendë elektorale të favorshme; ka legalizuar zgjidhje taktike të tij, veçanërisht në vitin 2025. Por, siç duket në divergjencat për plotësimin e vendeve vakante në krye të ambasadave, në Gjykatën Kushtetuese apo gjetkë, Osmani nuk është “yes-woman”.
Mbi të gjitha, në planin ndërkombëtar ajo ka luajtur shkëlqyeshëm, veçanërisht në dy vitet e fundit, duke mbajtur të hapura dyert e Perëndimit, sidomos të SHBA-ve, në kohë shumë të vështira për Kosovën.
Ç’mund të ndodhë?
Kjo sjellje e opozitës do të ishte ftesë për një emërues të përbashkët në kapërcimin e kësaj sfide; do të ishte lëvizje shtetformuese; dhe do t’i jepte “shah” VV-së: tani është radha juaj të lëvizni, por nuk mund të na bëni ne përgjegjës për bojkot.
Përballë kësaj lëvizjeje, VV do të ishte e detyruar:
a) të mos sulmonte publikisht Osmanin, profili ndërkombëtar i së cilës është fuqizuar ndjeshëm;
b) të propozonte një kandidaturë të dytë, sepse gara duhet të ketë patjetër dy kandidatë;
c) të mos tërhiqej nga gara duke bllokuar kuorumin prej dy të tretash.
Arritja e këtyre objektivave nuk është pak për një opozitë të përçarë. Vështirë të ketë kandidaturë të tretë dhe votimi është i fshehtë.
Kurti do ta kishte të vështirë të justifikonte publikisht pse po e braktis Osmanin – nëse do ta bënte – apo pse dëshiron të përqendrojë të gjitha pushtetet, nëse insiston në kandidatin e vet në raundin e tretë. Kjo do ta ekspozonte negativisht, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Çfarë i duhet Kosovës sot?
Nëse në planin e brendshëm punët kanë ecur mirë dhe kjo është reflektuar në rezultat zgjedhor për VV-në, në planin ndërkombëtar situata mbetet më sfiduese. Osmani ka kontribuar në zbutjen e izolimit ndërkombëtar të Kosovës dhe sot është momenti që vendi të tregojë stabilitet dhe vijimësi në politikën e jashtme.
Në një situatë të tillë, zgjedhja e një figure pa përvojë ndërkombëtare dhe pa rrjet të konsoliduar marrëdhëniesh nuk do të ishte skenar realist, as në interes të Kosovës.
Sigurisht, Kosova ka figura që mund ta kryejnë detyrën e presidentit, ndoshta edhe më mirë. Veton Surroi mund të ishte një opsion, apo dikush tjetër. Por a kanë votat e nevojshme?
Prandaj karta e vazhdimësisë duket më fituesja. Edhe për opozitën, e cila mund të rishpikë veten duke u bërë më joshëse për një elektorat që, përndryshe, do ta humbiste nëse perceptohet si e nënshtruar ndaj skenarëve me presidentë që burojnë nga VV.
Në dy institucionet – presidencë dhe kryeministri – do të kishte mjaftueshëm autonomi vendimmarrjeje, por edhe bashkëpunim. Një formulë e domosdoshme në kohë si këto, kur Serbia përballet me dobësim të brendshëm dhe ndërkombëtar, dhe kur Kosovës i duhet maturi, stabilitet dhe unitet strategjik.

