Ish-diplomati Avni Arifi ka reaguar për zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovë, duke komentuar raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Përmes një reagimi publik, Arifi e përshkroi situatën me një thënie angleze të njohur, të cilën e përshtati në shqip për të ilustruar, sipas tij, dinamikën e krijuar mes aktorëve politikë.
Ai iu referua shprehjes “Live by the sword, die by the sword”, duke e interpretuar në mënyrë figurative në kontekstin politik.
“Është një fjalë angleze: ‘Live by the sword, die by the sword’. Me përkthy shqip veç edhe me përshtat pak i bjen: Kur jeton prej tradhtisë, s’ke çare pa e shiju tradhtinë”, ka shkruar Arifi.
Në reagimin e tij, ish-diplomati përdori edhe një krahasim tjetër për të theksuar qëndrimin e tij ndaj atyre që, sipas tij, braktisin “shtëpinë e tyre politike”.
“Shpi nëpër botë gjen gjithkah, por me tradhtu shtëpinë tane e me prit bereqet në çerdhet e huaja goxha është një lloj budallakie. Kjo vlen për secilin që e ka tradhtu shtëpinë e vet e që mund ta gjejë veten këtu”, ka shkruar ai.
Deklarata e Arifit vjen në një kohë kur raportet politike në vend po shoqërohen me debate dhe interpretime të ndryshme për marrëdhëniet mes institucioneve dhe figurave kryesore të skenës politike.

