Ekonomistët: Shtetet e zhvilluara forcojnë mirëqenien e qytetarëve, në Kosovë eksperimentohet

by informim peje

Shkuarja e mundshme në zgjedhje të reja në Kosovë shihet nga njohësit e ekonomisë si një barrë e rëndë financiare dhe institucionale për vendin. Ndërsa mund të përfitoheshin rreth 100 milionë euro nga projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, politika po e çon vendin drejt një procesi zgjedhor që rrit presionin mbi buxhetin dhe pengon progresin ekonomik.

Për të premten ishte e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat mund të përmirësonin ndjeshëm jetën e qytetarëve, por vendimi për zgjedhje të reja duket se po bën që këto mundësi të ngecin në letër.

banner

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar si detyrim kushtetues. Sipas saj, vendimi erdhi pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit, ndërsa moszgjedhja e shefit të shtetit deri më 5 mars e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Eksperti ekonomik, Safet Gërxhaliu, vlerëson se në një kohë kur shtetet e zhvilluara përpiqen të forcojnë stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, në Kosovë po eksperimentohet me institucionet.

Sipas tij, dështimet politike që çojnë në zgjedhje të reja përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë për ekonominë.

“Borxhi në bankat komerciale në Kosovë, nga qytetarët dhe bizneset, ka arritur aq shumë sa që e rrezikon stabilitetin makrofiskal, sepse afër 80 për qind e GDP-së së Kosovës sot është nëpër kredi të ndryshme, nga bizneset dhe qytetarët. Kur kësaj i shtohet fakti që e kemi një rritje të kamatave që po ndikon çdo ditë e më tepër në ngadalësimin e proceseve zhvillimore të sektorit privat, kur e kemi afër 700 milionë euro tërheqjen përmes kartelave bankare apo overdraftin dhe kur krejt kësaj i shtohet që e kemi një inflacion që muajin shkurt ka qenë afër 5.8 për qind, e dëshmon më së miri se në çfarë situate ekonomike është Kosova dhe çka i pret qytetarët e saj”, thekson Gërxhaliu për Kosovapress.

Përveç ndikimit të përgjithshëm ekonomik, ai thekson se zgjedhjet në vetvete kanë një kosto të konsiderueshme financiare.

Sipas tij, vetëm organizimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 9 deri në 10 milionë euro. Derisa thekson se po abuzohet me paranë publike.

Ndërkaq, edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli, shprehet kritik ndaj situatës aktuale institucionale dhe ekonomike në vend.

Sipas tij, Kosova përballet me probleme serioze sociale dhe ekonomike, ndërsa qytetarët jetojnë me të ardhura shumë të ulëta.

Ai përmend se një pjesë e madhe e popullsisë jeton me rreth dy euro në ditë, ndërsa pensionet mbeten në nivel shumë të ulët.

“Kosova ka tashmë ka para vetes atë që ne e kemi paralajmëruar sepse kemi institucione që nuk e kanë dertin as të sigurimit shëndetësor, as të ushtrisë dhe as të policisë, e as të qytetarit të varfër, sepse të shkohet në zgjedhje me një pension 120 euro, me varfëri të skajshme dhe me 40 për qind të popullsisë që jetojnë në shtresën me 2 euro në ditë, dhe të shkohet në zgjedhje me minus 6 milionë euro buxhet dhe paratë e shtetit të keqpërdoren në këtë mënyrë, dhe përsëri kjo kastë politike të jetë pjesë e institucioneve tona dhe qytetari jonë t’i sheh si jetesë apo t’i sheh si frymëzim për ne, me të vërtetë do të jetë e dhimbshme dhe ne me të vërtetë jemi meritorë për këto institucione, dhe ne jemi meritorë për atë që dinë të na i bëjnë popullit dhe tarifave shtetërore, po tashmë është kuptuar që këta nuk e kanë fokusin institucional, nuk e kanë fokusin e qytetarëve, nuk e kanë fokusin e çdo lëmie që është pro probabilitetit që ne të jetojmë më mirë, ne të kemi ekonomi më të mirë dhe ne kemi të kemi zhvillim ekonomik”, thotë Qorrolli.

Ai thekson se shkuarja në zgjedhje në këto rrethana, kur buxheti përballet me mungesa dhe kur qytetarët përballen me varfëri, është një vendim që mund ta rëndojë edhe më shumë situatën.

“Krejt çka po kuptohet është që këta të kenë të ardhura të mira, këta të jenë komodë, këta të përfitojnë shumë e më shumë buxhet dhe t’i mbushin apetitet tashmë jo me 51 dhe tash ta synojnë edhe 70 për qind. Më shumë është luftë sa përfitojnë ata vetë sesa si jeton qytetari, sepse të shkohet në zgjedhje me një migrim me 40 mijë persona në vit dhe mbyllje të firmave çdo ditë, këtë mund ta bëjë vetëm Qeveria Kurti 3. Lutemi që qytetarët tashmë të reflektojnë sepse do të jetojnë edhe më varfër dhe përsëri do të shkojnë në zgjedhje, edhe pse do të votohet përsëri, përsëri do të shkojnë në zgjedhje sepse këta nuk dinë të punojnë, këta dinë të shpenzojnë dhe t’i mbushin apetitet e tyre mbi votat që ia jepni ju”, nënvizon Qorrolli.

Të enjten mbrëma, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë nuk janë prezentë 80 deputetë në sallë, që duhen për kuorum. Derisa ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. E presidentja Vjosa Osmani, po vlerëson se kanë kaluar afatet andaj edhe e dekretoi shpërndarjen e Kuvendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy