Deputeti Galushi ankohet në Kuvend për paraqitje “nënçmuese” të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në një emision satirik

by Nexhat

Deputeti Erxhan Galushi, i cili është kryetar i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës (LPRK), në foltoren e Kuvendit sot ka reaguar ndaj një episodi të emisionit satirik “Logjikonomia”.

Ai tha se kritika e tij nuk ka për qëllim të sulmojë as emisionin dhe as aktorët, por tha se ndikimi i satirës ndaj komuniteteve, që veçse janë të pabarabarta në shoqëri, e përkeqëson situatën edhe në jetën reale.

banner

“Problemi lind kur humori ndërtohet mbi stereotipet që dëmtojnë komunitete të tëra që në këtë rast komunitetin rom, ashkali apo egjiptian, sido që e kanë perceptuar. Kjo s’është hera e parë. Për vite me radhë kemi parë përfaqësime të ngjashme ku komunitete të caktuara paraqiten në mënyrë të njëanshme, të ekzagjeruar dhe shpesh nënçmues dhe këto imazhe nuk mbetën vetëm në ekran, ato kalojnë në jetën reale, ato shndërrohen në paragjykim në distancë dhe në përjashtim”.

Galushi tha se pjesëtarët e këtyre komuniteteve mund të përballen me tallje.

“Një fëmijë nga komuniteti rom, dhe jo vetëm, në shkollë mund të përballet me tallje për shkak të batute që dikujt tjetër i është dukur e pafajshme. Një i ri mund të humbasë besimin në vetvete sepse shoqëria i ka vendosur etiketa para se t’i jepet mundësia. Një grua apo burrë në vendin e punës apo një pacient në spital mund të përjetojë një trajtim të pabarabartë jo për atë që është, por për atë që perceptohet të jetë. Kjo s’është humor, kjo është pasojë”.

Galushi tha se ka “një dallim të qartë mes satirës që sfidon pushtetin, padrejtësinë dhe fenomenet negative në shoqëri dhe satirës që godet ata që tashmë përballen me pabarazi”.

“E para është e nevojshme për një demokraci, e dyta është e dëmshme për të”.

Deputeti Galushi tha se s’është për të kërkuar censurë apo për të kufizuar artin apo lirinë e shprehjes, përkundrazi, ai tha se beson fuqishëm në to, por se “liria e shprehjes s’duhet të jetë e ndarë nga përgjegjësia shoqërore”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy