Maqedonia e Veriut ka hyrë në një tjetër sezon ngrohjeje me përqendrime të larta të grimcave ndotëse PM2.5 dhe PM10 në disa qytete, ndërsa të dhënat e monitorimit shtetëror tregojnë se në vitin 2025 kufiri mesatar vjetor për PM2.5 u tejkalua në 10 nga 18 pikat matëse. Ministria e Mjedisit thotë se po zbaton masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërsa aktivistët vlerësojnë se ndërhyrjet mbeten të pamjaftueshme, sepse nuk synojnë siç duhet burimet kryesore të ndotjes. Edhe Komisioni Evropian evidenton dobësi në monitorim dhe në menaxhimin e cilësisë së ajrit, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të ekspozohen ndaj grimcave që rrezikojnë shëndetin, shkruan Portalb.mk.
Sezon i ri, problem i vjetër
Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një nga problemet më serioze mjedisore në Maqedoninë e Veriut, ky problem është më i theksuar zakonisht gjatë periudhës vjeshtë-dimër, apo gjatë sezonit të ngrohjes.
Javëve të fundit, me uljen e temperaturave, përqendrimet e grimcave PM2.5 në disa komuna e kanë tejkaluar kufirin maksimal të lejuar, ndërsa të larta janë edhe vlerat e grimcave PM10.
Ndotje me grimca PM2.5 mbi kufijtë e lejuar javëve të fundit është regjistruar në pikat matëse në Gazi Babë, Karposh, Gostivar dhe Kumanovë. Në Tetovë, vlerat arritën deri në 39 mikrogramë, ndërsa ky qytet javëve të fundit kryeson edhe për përqendrimet e PM10, të cilat tejkaluan 75 mikrogramë për metër kub. Në Shkup, ndërkaq, pikat matëse në Lisiçe dhe pranë Rektoratit javëve të fundit kanë regjistruar ndotjen më të lartë të ajrit me PM10, pothuajse në kufirin maksimal prej 50 mikrogramësh.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, vlera mesatare ditore e PM10 nuk duhet ta tejkalojë nivelin prej 50 µg/m³ më shumë se 35 herë gjatë një viti kalendarik, ndërsa vlera mesatare vjetore nuk duhet të jetë më e lartë se 40 µg/m³.
Megjithatë, vitin e kaluar, në të gjitha pikat matëse në vend, përveç në Lazaropole, ndotja e ajrit e kishte tejkaluar kufirin e lejuar për më shumë se 35 ditë gjatë vitit. Situata më e keqe ishte në Strumicë, ku në 108 ditë u regjistrua ndotje me vlerë mesatare ditore mbi maksimumin prej 50 mikrogramësh. Gjendje e ngjashme ishte edhe në Kavadar, me 105 ditë, në Kërçovë me 105 ditë, në Lisiçe me 104 ditë dhe në Qendër me 101 ditë.
Sa i përket përqendrimit mesatar vjetor të PM10, ai është tejkaluar në nëntë nga gjithsej 17 pikat matëse për të cilat monitorimi shtetëror ka të dhëna. Vlera më e lartë është regjistruar në Lisiçe, me 49 mikrogramë për metër kub, në Kërçovë me 47, në Strumicë me 46,9 dhe në Kavadar me 46 mikrogramë.
Edhe pse vlera mesatare vjetore e PM2.5 nuk duhet të tejkalojë 25 µg/m³, megjithatë, analizat e Monitorimit Shtetëror tregojnë se gjatë vitit 2025 kjo vlerë është tejkaluar në dhjetë nga gjithsej 18 lokacionet në vend ku maten grimcat PM2.5. Ajri më i ndotur është regjistruar në Kërçovë, me vlerë mesatare prej 31 mikrogramësh, në Strumicë me 29 dhe në Gostivar me 27 mikrogramë. Në Shkup, përqendrimi mesatar më i lartë i PM2.5 vitin e kaluar është matur në Lisiçe, me 27,7 mikrogramë, dhe në Karposh, me 26,6 mikrogramë.
Si të veproni kur ka ndotje të ajrit?
Ndotja e ajrit nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe problem i shëndetit publik, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj grimcave të dëmshme mund të ndikojë në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje të frymëmarrjes dhe gratë shtatëzëna.
Rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik kur ka ndotje përfshijnë këto masa: të qëndrohet në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë; personat me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik; gratë shtatzëna të qëndrojnë në shtëpi; personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre; përdorimi i maskave me efikasitet të provuar; ata me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin; shmangja e qëndrimit dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion); të mos hapen dritaret në shtëpinë tuaj; të përdoren pastruesit e ajrit pa jonizator; qytetarët mund ta padisin shtetin për ndotjen e ajrit.
Aktivistët thonë se institucionet nuk punojnë siç duhet për këtë problem
Tanja Stojanovska nga Iniciativa 02 për Portalb.mk, vlerëson se përparimi i institucioneve në marrjen e masave për uljen e ndotjes së ajrit është minimal dhe i pamjaftueshëm. Sipas saj, rezultatet e dobëta vijnë kryesisht si pasojë e identifikimit dhe adresimit jo të saktë të burimeve kryesore të ndotjes, si dhe të rrethanave në të cilat shkaktohet ajo.
Ajo thekson se masat duhet të orientohen në mënyrë të drejtpërdrejtë drejt zonave ku ndotja është më e theksuar. Si shembull, Stojanovska përmend ngrohjen individuale të amvisërive, e cila është një nga burimet kryesore të ndotjes. Sipas saj, subvencionimi për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes me kondicionerë ose pompa termike duhet të përqendrohet në zonat me numrin më të madh të objekteve të tilla, dhe jo të zbatohet sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.
Sa i përket komunikacionit, ajo vlerëson se ende nuk janë ndërmarrë hapa seriozë për rregullimin e emetimeve të gazrave nga automjetet, ndërsa përmirësimi i transportit publik mbetet në fazën fillestare. Si probleme të tjera ajo përmend mungesën e masave urbanistike për adresimin e ndotjes dhe ndalimin vetëm deklarativ të djegies së hamulloreve, pa ofruar alternativa për trajtimin e biomasës.
“Prandaj, të gjitha masat mbeten deklarative, pa analiza për rezultatet e pritshme dhe ato të arritura”, thekson Stojanovska.
Ajo shton se një pjesë e masave nuk janë përcaktuar mjaftueshëm qartë, ndërsa në disa fusha mungojnë edhe ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për zbatimin e tyre. Si shembull të vonesave shumëvjeçare, ajo përmend rregulloren për vendosjen e etiketave ekologjike, përkatësisht klasifikimin e automjeteve sipas nivelit të ndotjes që shkaktojnë përmes gazrave të shkarkimit.
Kritika edhe nga Bashkimi Evropian
Mungesa e rezultateve në luftën kundër ndotjes së ajrit reflektohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili evidenton mungesën e përparimit në këtë fushë. Raporti i KE-së i cili u publikua ditë më parë, konstaton lëvizje të lehtë sa i përket cilësisë së ajrit. KE konstaton se nuk ka ndryshime ligjore për të cilat duhet të njoftohet.
“Sistemi për menaxhimin e cilësisë së ajrit përballet me disa kufizime strukturore, përfshirë këtu dizajnin e dobët të monitorimit, mbulimin e paplotë të ndotësve, monitorimin e pamjaftueshëm në sfond, integrimin e kufizuar të të dhënave për cilësinë e ajrit në planifikimin dhe dhënien e lejeve, si dhe dobësitë institucionale”, thuhet në Raportin e KE-së.
Ministria e Mjedisit arsyetohet
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje për Portalb.mk ka bërë të ditur se po zbaton një sërë masash për përmirësimin e cilësisë së ajrit, të cilat përfshijnë investime në objektet publike, transportin ekologjik, zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe forcimin e monitorimit të ndotjes.
Një nga projektet kryesore është iniciativa “BE-ja për ajër të pastër”, e mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila zbatohet në Shkup, Manastir, Tetovë dhe Kumanovë. Nga ministria njoftojnë se punimet në 20 objekte publike kanë përfunduar, në 20 të tjera janë në realizim, ndërsa për 30 objektet e mbetura është përgatitur dokumentacioni projektues. Sa u përket burimeve kryesore të ndotjes, ministria thotë se ka përcaktuar masa të veçanta për amvisëritë, industrinë, transportin dhe aktivitetet ndërtimore. Siç thonë nga atje, për amvisëritë parashihet vazhdimi i subvencioneve për kondicionerë inverter dhe pompa termike.
“Në sektorin e transportit, deri në fund të vitit 2026 pritet ardhja e autobusëve të rinj për Transportin Publik të Shkupit. Gjithashtu, janë planifikuar subvencione për taksitë elektrike dhe kontrolle më të rrepta të gazrave që lëshojnë automjetet. Për zvogëlimin e pluhurit, parashihen kontrolle më intensive në kantieret e ndërtimit dhe investime në automjete komunale për larjen e rrugëve në Shkup. Ministria ka paraparë edhe një plan veprimi me afate të shkurtra, të mesme dhe të gjata. Gjatë sezonit dimëror 2026–2027, fokusi do të jetë te shtimi i kontrolleve ndaj burimeve të ndotjes, parandalimi i djegies së mbetjeve dhe pastrimi i rrugëve. Gjithashtu, parashihet formimi i një grupi ndërinstitucional për koordinimin e aktiviteteve. Deri në fund të vitit 2026 synohet përgatitja e dokumenteve të reja të planifikimit për cilësinë e ajrit, ndërsa deri në vitin 2030 parashihet zbatimi i Programit për Përmirësimin e Cilësisë së Ajrit Ambiental 2024–2030, me fokus në reduktimin e emetimeve, modernizimin e sistemeve të ngrohjes, kontrollin e industrisë dhe zhvillimin e transportit më të pastër”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Kujtojmë se në vitin 2025, gjithsej 17 stacione matëse në të gjithë Evropën regjistruan përqendrime të grimcave PM 2.5 mbi vlerën aktuale vjetore kufitare të BE-së. Edhe pse është një vend i vogël, në Maqedoninë e Veriut ndodhen nëntë prej këtyre 17 pikave kritike matëse në të gjithë kontinentin e vjetër, gjë që në vetvete është shqetësuese duke pasur parasysh se sa shumë po helmohen qytetarët nga toksina të ndryshme, të lidhura me grimcat më të vogla, të cilat depërtojnë thellë në mushkëri dhe qarkullimin e gjakut, dhe vijnë nga lëndët djegëse fosile, industria, trafiku, biomasa dhe zjarret.
Që ndotja e ajrit është alarmante dhe serioze e konfirmojnë edhe shumë raporte tjera vendase dhe ndërkombëtare, ndërkaq Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet me numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur. Vitin e kaluar Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se brenda një viti pati 3583 vdekje për shkak të ajrit të ndotur. Këto të dhëna tregojnë se ndotja e ajrit është kërcënim real dha ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

