Juventusi është i gatshëm ta shesë Teun Koopmeinersin këtë verë, ndërsa sipas “Tuttosport”, dy klubet kryesore të interesuara janë Manchester Unitedi dhe Galatasaray.
Mesfushori holandez iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2024 pas një beteje të gjatë transferimi me Atalantën, me një kosto prej 58.4 milionë eurosh.
Megjithatë, ai nuk ka arritur të përsërisë formën që e bëri një nga lojtarët më të vlerësuar në treg.
Në disa raste këtë sezon, Koopmeinersi është përdorur edhe në mbrojtje me tre lojtarë për të mbuluar mungesat, dhe pikërisht aty ka treguar paraqitjet e tij më të mira.
Me rikthimin e mbrojtësve nga dëmtimet, ai ka humbur vendin si titullar dhe shpesh ka mbetur në stol.
Juventusi nuk dëshiron ta shesë nën 30 milionë euro, pasi një shitje më e ulët do të sillte humbje të madhe financiare.
Sipas raportimeve, vetëm Manchester Unitedi dhe Galatasaray janë aktualisht të gatshëm të afrohen me këtë shifër.
Koopmeinersi ka zhvilluar 40 ndeshje zyrtare këtë sezon dhe ka shënuar dy gola të rëndësishëm pikërisht ndaj Galatasarayt në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve.
E ardhmja e tij pritet të vendoset në javët e ardhshme, varësisht nga ofertat konkrete që do të mbërrijnë në Torino.

