Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pak ditë më parë publikoi regjistrat e pasurisë, në të cilën janë dhënë edhe ato të Emanuel Bajrës, kryesuesi i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ky i fundit, në deklaratën e tij të pasurisë, ka bërë të ditur se posedon pasuri marramendëse, e cila kap vlerë multimilionëshe. Vetëm në prona të paluajtshme, Bajra ka deklaruar pasuri mbi 141 milionë, e cila përbëhet nga një shtëpi në vlerë 140 milionë euro, banesë në vlerë 100 mijë euro, banesë tjetër në vlerë 800 mijë euro dhe shtëpi tjetër në vlerë 510 mijë euro,
Rreth kësaj, ka reaguat vetë Bajra, i cili përmes një postimi të gjatë të bërë në profilin e tij në Facebook, ka thënë se e ai e ‘’bën të qartë’’ se pasuria e tij, s’e ka origjinën në Kosovë, porse të njëjtën, ai e ka krijuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai ka thënë se, ‘’çdo cent është i deklaruar, i dokumentuar dhe plotësisht legjitim’’.
‘‘Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë praktike të tillë. Nuk kam përfituar dhe nuk do të përfitoj kurrë nga paraja publike. Kjo do të ishte në kundërshtim të plotë me vlerat e mia personale, me integritetin profesional që kam ndërtuar ndër vite dhe me ndjenjën e thellë patriotike që më ka udhëhequr në çdo vendim. Mund të tingëllojë si klishe për disa, por për mua është realitet i padiskutueshëm. Dua të jem shumë i qartë se pasuria ime nuk ka origjinë nga Kosova. Ajo është krijuar në Mbretërinë e Bashkuar, shumë kohë përpara angazhimit tim në role publike në Kosovë. Kam vite të tëra përvojë në tregjet financiare dhe gjithçka që kam është e fituar me punë, me disiplinë dhe me sakrificë. Çdo cent është i deklaruar, i dokumentuar dhe plotësisht legjitim’’, ka thënë ai mes tjerash.
Bajra, po ashtu, ka hedhur poshtë pretendimet se ka përfituar nga TRUSTI, dhe se, debati për të është i mirëseardhur. I njëjti, ka kërkuar nga shoqëria që të ‘’kalojmë nga kultura e dyshimit të përhershëm tek kultura e meritës dhe përgjegjësisës’’.
‘‘Kam ndjekur me shqetësim dhe keqardhje fushatën e ekzagjerimeve, shpifjeve dhe linçimeve që janë bërë ndaj meje. Pretendimet se kam përfituar nga TRUSTI apo nga ndonjë lidhje në Kosovë janë të pavërteta dhe i mohoj në mënyrë të prerë. Nuk pranoj ofendime dhe linçime si mënyrë komunikimi publik. Debati është i mirëseardhur, por shpifja dhe ofendimi e linçimi nuk janë. Besoj gjithashtu se është momenti që si shoqëri të kalojmë nga kultura e dyshimit të përhershëm tek kultura e meritës dhe përgjegjësisë. Të kërkojmë llogari aty ku duhet, por edhe të njohim dhe të vlerësojmë punën e ndershme kur ajo ekziston. Vetëm kështu ndërtojmë institucione më të forta dhe një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë’’, ka shtuar ai mes tjerash.
Postimi i plotë i Bajras:

