Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të enjte është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku ish-zyrtarja së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq po akuzohet për spiunazh.
Prokurori special Bekim Kodraliu e dha fjalën përfundimtare para trupit gjykues, duke deklaruar se provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, ka deklaruar se është vërtetuar bindshëm gjendja faktike të përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës.
Kodraliu ndër të tjera theksoi se veprimet e ndërmarra nga e akuzuara Gjukanoviq janë marrë me dashje dhe vetëdije të plotë, duke ndihmuar shërbimin inteligjent të Serbisë të njohur si BIA, përmes ofrimit të dokumenteve me përmbajtje sensitive që kanë të bëjnë më çështjet politike dhe të sigurisë ne Kosovë.
“E akuzuara pos komunikimeve e njëjta ka pasur kontakt fizik edhe me agjentët e BIA-s, me të dënuarin për spiunazh Aleksander Vllajiq dhe zyrtar të tjerë”, tha Kodraliu.
Prokurori Kodraliu kërkoi dënimin maksimal për këtë vepër ndaj të akuzuarës Gjukanoviq, për faktin se këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi por me një veprimtari të planifikuar dhe të qëllimshme që prek thelbin e sigurisë kombëtare.
Ndërsa, mbajtësi i të akuzuarës Gjukanoviq, avokati Predrak Milkoviq, në fjalën përfundimtare kundërshtoi akuzën e Prokurorisë Speciale duke cilësuar se provat nuk kanë përputhshmëri dhe njëkohësisht të pabesueshme.
Milkoviq, i kërkoi gjykatës, që e mbrojtura e tij, Gjukanoviq të lirohet nga akuza.
Fjalën e avokatit Milkoviq e mbeshteti edhe e akuzuara Gjukanoviq e cila në radhën e dhënies së fjalës përfundimtare nuk shtoi diçka tjetër.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje penale, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Kosovës me vendimin e 20 janarit 2026 ka vendos të aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuares për spiunazh, Jelena Gjukanoviq ashtu që ka ndryshuar vendimin e Themelores duke llogarit prova të pranueshme gjetjet në telefonin e të akuzuares.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë nda Jelena Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi deri në momentin e arrestimit të saj, më datë 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumentet dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq.
Aktakuza thotë se Gjukanoviq i ka përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-s në Beograd.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, kështu përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e akuzuara ka cenuar rëndë rendin kushtetuese dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Me këtë, e akuzuara Jelena Gjukanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par.3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë./BetimipërDrejtësi

