Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, ndërsa me 30 vite dënoi Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë.
Ata u gjetën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se të tre janë fajtorë dhe duke lexuar vendimin e gjykatës, ai tha se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë, ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës.
“Përmes planit të mirorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojë Serbisë”, tha ai.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

