Kurti e ndryshoi vendimin për provimin e Jurisprudencës, pasi gjyqtarja Rrezarta Lleshaj s’i plotësoi kushtet

by Nexhat

Qeveria e Kosovës me 20 prill 2026 kishte marrë vendim duke aprovuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Por, sot Qeveria mori vendim për të ndryshuar njërën prej zëvendësanëtareve në këtë komision, gjykatësen Rrezarta Lleshaj. Kjo pas gjetjes së “Betimi për Drejtësi”, se ajo nuk përmbushte përvojën profesionale prej 8 vitesh, sipas Ligjit për Provimin e Jurisprudencës.

banner

Rrezarta Lleshaj ishte emëruar zëvendësanëtare në komision për lëndët: E Drejta Ndërkombëtare (private dhe publike) dhe E Drejta e Bashkimit Evropian.

Qeveria ka ndryshuar këtë vendim, duke e ndërruar emrin e saj me atë të Hysni Ismailit, gjatë kohës sa “Betimi për Drejtësi”, ishte interesuar dhe ishte në pritje të një përgjigjeje zyrtare lidhur me përvojën e gjykatëses Lleshaj.

“Betimi për Drejtësi”, dje më 25 prill kishte pyetur gjykatësen Lleshaj, nëse ka përvojën profesionale siç kërkohet me ligj, por ajo nuk është përgjigjur duke thënë se duhet pyetur Ministrinë.

“Për besë unë nuk jam kompetente për këtë pjesë, propozimi është bërë prej Ministrisë së Drejtësisë, krejt çka duhet, duhet me iu drejtu Ministrisë së Drejtësisë, po mendoj që jeni drejtuar gabimisht tek unë”, ka thënë ajo.

Ajo është pyetur nëse përveç si gjyqtare a ka ndonjë përvojë tjetër profesionale dhe nëse jo pse ka pranuar të marrë këtë pozitë, por ajo sërish nuk ka dhënë sqarime.

“Të lutem, krejt çka duhet drejtohuni te Ministria e Drejtësisë…”, ka thënë tutje Lleshaj.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, por, ajo nuk i është përgjigjur as thirrjeve dhe mesazheve telefonike.

Në anën tjetër, “Betimi për Drejtësi”, ka biseduar edhe me Vigan Qorollin, zëvendëskryetarin e komisionit për legjislacion, i cili ka thënë se për këtë çështje duhet t’i drejtohemi Ministrisë e cila ka bërë propozimin dhe Qeverisë për emërimin.

Sipas nenit 5 paragrafit 3 të këtij ligji përcaktohet se

“Komisioni përbëhet nga radhët e juristëve të diplomuar të cilët duhet ta kenë të dhënë provimin e jurisprudencës, si dhe të kenë së paku tetë (8) vite përvojë pune profesionale”

Ndërkaq në paragrafin 6 të po nenit 5 thuhet:

“Për qëllime të këtij neni përvojë pune profesionale nënkupton përvojën si gjyqtar, prokuror dhe avokat”

Gjykatësja Lleshaj, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 20 gushtit 2020 ishte propozuar për dekretim te Presidentja e vendit si gjyqtare me mandat fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndërsa, më 25 janar 2021 ajo ishte dekretuar në atë kohë nga u.d Presidentja Vjosa Osmani.

Kështu, nga data e dekretimit si gjykatëse deri në emërimin e saj si zëvendësanëtare në komisionin për Provimin e Jurisprudencës, nuk kanë kaluar më shumë se 5 vjet e 3 muaj. Ndërsa, nuk ka të dhëna tjera publike për përvojë të mëparshme profesionale.

Anëtarët tjerë që emëruar Qeveria sipas propozimit të Ministrisë janë: Arian Gashi, Kryetar i Komisionit dhe zëvendësanëtar i Komisionit Ersan Qavolli për lëndën “E Drejta Penale (materiale dhe procedurale)”.

Lumni Sallauka, zëvendëskryetar i Komisionit dhe zëvendësanëtar Arsim Hamzaj për lëndën “E Drejta Civile (materiale dhe procedurale)”.

Anita Prenaj – Krasniqi, anëtare dhe zëvendësanëtare Suada Rama- Hamza, për lëndën “E Drejta Kushtetuese dhe Bazat e Sistemit Gjyqësor”.

Burim Shala, anëtar dhe zëvendësanëtar Nehat Qelaj, për lëndën “E Drejta Tregtare, E Drejta e Punës dhe e Drejta Administrative”. Si dhe Bujar Muzaqi, anëtar dhe tashme zëvendësanëtare Hysni Ismaili për lëndën “ E Drejta Ndërkombëtare (private dhe publike) dhe E Drejta e Bashkimit Evropian”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 21 prill 2026, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ky vendim ishte arsyetuar me nevojën për adresimin e një numri të madh të ankesave të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.

Megjithatë, IKD vlerëson se ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin pasi anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria, sipas IKD-së pa asnjë bazë ligjore.

“Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Tutje, thuhet se mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij.

“Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë tutje IKD në reagim.

Për këto arsye, IKD vlerëson se ky është një vendim i kundërligjshëm dhe i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos e votojë të njëjtin. Sipas tyre, Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij Komisioni.

“Në anën tjetër, dilema serioze ngrihen edhe në raport me përbërjen e re të propozuar të Komisionit. Kryetar i këtij Komisioni është propozuar z. Arian Gashi, i cili aktualisht ushtron funksionin e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas nenit 18.5 të Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët prokurorë të Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, Akademisë së Drejtësisë apo rasteve të parapara me ligj”, thekson IKD në reagimin e tyre.

Po ashtu, sipas IKD mbajtja e dy pozitave drejtuese ngre dilema edhe në raport me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“Neni 13.2 i këtij ligji përcakton se zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Sipas të njëjtit nen, zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Përballë këtyre dilemave për ekzistimin e konfliktit të interesit, IKD vlerëson se i mbetet Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë ekzistimin eventual të konfliktit të interesit në rastin konkret”, thuhet tutje në reagim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy