Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme nga ora 17:00, për çështjen e presidentit.
Me kërkesë të deputetëve të Vetëvendosjes, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka thirrur seancën, të cilët i është referuar si “diskutim” lidhur me këtë temë.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka afat vetëm deri nesër që të zgjidhet presidentit i ri, sepse në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.
LDK e ka propozuar në fundjavë emrin e Vjosa Osmanit, por Vetëvendosje ka kërkuar ‘propozime konkrete’.
Klan Kosova do të ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet!
“Show propagandues”, Abdixhiku i prerë: S’marrim pjesë në seancën për president
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme për presidentin e cila nis në orën 17:00, njofton Klankosova.tv.
Sipas tij, kjo seancë është “show propagandues i VV-së”.
“Nuk marrim pjesë në seancë”, ka thënë kreu i LDK-së para mediave, njofton Klankosova.tv.
Bazuar në afatin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët vetëm deri nesër kanë kohë të zgjedhin presidentin e ri, sepse në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.
“Përplasje” në Kuvend rreth seancës për presidentin, opozita e Haxhiu shkëmbejnë akuza
Në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet seanca që ka nisur në orën 13:00, kanë filluar përplasjet mes pozitës dhe opozitës lidhur me seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila është caktuar të mbahet sot.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën që pritet të nisë në ora 17:00, duke përmend nevojën për sigurimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
“Është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancë dhe deri atëherë të shpresojmë që të kemi emra dhe konsensus për president”, tha Haxhiu.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se mungesa e marrëveshjes politike po e çon vendin në një situatë të re.
“Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke thënë se një situatë e tillë nuk është reale.
“Keni shpikur një ngjarje që nuk ekziston, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për presidentin”, tha Kadrijaj.

