INSTAT ka publikuar treguesit demografikë për vitin 2025 dhe tremujorin e parë të vitit 2026, ku evidentohet një rënie e lindjeve dhe vdekjeve gjatë vitit 2025, ndërsa në fillim të vitit 2026 shtesa natyrore e popullsisë ka kaluar në vlera negative.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 në Shqipëri lindën 22.541 foshnje dhe u regjistruan 21.394 vdekje. Si rezultat, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive me 1.147 lindje më shumë se vdekje, megjithatë në rënie krahasuar me vitin 2024.
Në krahasim me 2024, lindjet për 2025 shënuan rënie me 3,3 %, ndërsa vdekjet ranë me 3,2 %.

Tirana kryeson për numrin e lindjeve dhe vdekjeve
Qarku i Tiranës vijon të mbajë peshën kryesore demografike në vend. Gjatë vitit 2025, Tirana regjistroi numrin më të lartë të lindjeve me 10.866 foshnje, ndërsa qarku me më pak lindje rezultoi Gjirokastra me vetëm 292 lindje.
Në nivel qarqesh, krahasuar me vitin 2024, vetëm një qark regjistroi rritje të lindjeve, ndërsa 11 qarqe shënuan rënie. Rritja më e madhe u regjistrua në Tiranë me +20,7 %, ndërsa rënia më e thellë në Dibër me -37,7 %.
Edhe për vdekjet, Tirana kryeson me 5.483 raste të regjistruara gjatë vitit 2025, ndërsa Kukësi pati numrin më të ulët të vdekjeve me 486 raste.
Në krahasim me 2024, vetëm dy qarqe shënuan rritje të vdekjeve gjatë vitit 2025, ndërsa 10 qarqe regjistruan ulje. Rritja më e madhe u vu re në Korçë me +2,3 %, ndërsa rënia më e madhe në Kukës me -8,8 %.
Tremujori i parë 2026, shtesa natyrore kalon në negative
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë një përkeqësim të bilancit natyror të popullsisë. Në tre muajt e parë të vitit lindën 5.146 foshnje dhe u regjistruan 5.514 vdekje, duke sjellë një shtesë natyrore negative prej 368 personash.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, lindjet shënuan një rritje të lehtë prej 1,0 %, ndërsa vdekjet ranë me 7,4 %.
Edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, Tirana mbetet qarku me numrin më të madh të lindjeve, me 2.438 foshnje të lindura, ndërsa Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët me 59 lindje.
Në raport me tremujorin e parë të vitit 2025, gjashtë qarqe regjistruan rritje të lindjeve, një qark mbeti pa ndryshim dhe pesë qarqe shënuan rënie gjatë tremujorit të parë të 2026. Rritja më e madhe u regjistrua në Berat me +14,5 %, ndërsa rënia më e madhe në Gjirokastër me -23,4 %.
Sa i takon vdekjeve, Tirana regjistroi numrin më të lartë edhe në këtë periudhë me 1.422 raste, ndërsa Kukësi pati numrin më të ulët me 99 vdekje.
/rtsh.al/

