ANSAMBLI “GURRA E KURBINIT” SHKËLQEN NË SKENAT FOLKLORIKE

by Nexhat

Ansambli “Gurra e Kurbinit” po jeton një periudhë të artë artistike, duke u kthyer në një nga përfaqësuesit më dinjitozë të folklorit shqiptar në skena kombëtare dhe mbarëkombëtare. Me interpretimet plot energji, autenticitet dhe profesionalizëm, ky ansambël ka arritur të fitojë admirimin e publikut dhe vlerësimet më të larta nga juritë artistike.

Një ndër momentet më të spikatura ishte prezantimi në emisionin “E Diell” në Top Channel, ku tradita dhe kultura kurbinase u sollën me finesë dhe emocion para publikut shqiptar. Pas kësaj performance të suksesshme, ansambli vijoi aktivitetet artistike në qytete të ndryshme si Lezha, Mirdita dhe Prishtina, duke përcjellë kudo vlerat e folklorit burimor të Kurbinit.

banner

Suksese të rëndësishme u arritën edhe në Festivalin e Lojërave dhe Riteve Popullore në Burrel, ku “Gurra e Kurbinit” u paraqit me këngë, valle dhe rite tradicionale, duke spikatur mes shumë grupeve pjesëmarrëse. Në përfundim të festivalit, grupi i vajzave së bashku me këngëtaret Dhurata Aliaj dhe Gjelina Gjegji u vlerësuan me çmimin e parë nga juria.

Një tjetër arritje e rëndësishme ishte pjesëmarrja në festivalin “Anadrinia Jehon” në Kosovë, organizuar nga Komuna e Rahovecit. Në këtë aktivitet me pjesëmarrje të gjerë nga trevat shqiptare, “Gurra e Kurbinit” u prezantua në mënyrë mbresëlënëse, duke fituar jo vetëm duartrokitjet e publikut, por edhe çmimin kryesor të festivalit mes grupeve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Pas çdo suksesi qëndron puna dhe përkushtimi i një stafi artistik të talentuar. Kontribut të çmuar kanë dhënë drejtuesit muzikorë, këngëtarët e njohur të folklorit, valltarët, instrumentistët dhe të rinjtë e talentuar që po i japin frymë të re ansamblit. Një rol të veçantë në këtë rrugëtim ka organizatori dhe drejtuesi i palodhur Lad Cara, i cili me pasion dhe përkushtim ka mbajtur gjallë frymën artistike të “Gurrës së Kurbinit”.

Mbështetja institucionale ka qenë gjithashtu një faktor i rëndësishëm në këto arritje, veçanërisht angazhimi i Kryetares së Bashkisë së Kurbinit, zonjës Majlinda Cara, e cila ka treguar vëmendje të vazhdueshme ndaj kulturës dhe artit në zonë.

Sot, “Gurra e Kurbinit” nuk është vetëm një ansambël folklorik, por një simbol krenarie për Kurbinin dhe më gjerë. Çdo dalje në skenë është një dëshmi e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, si dhe një premtim për suksese të tjera në të ardhmen.

Urime “Gurra e Kurbinit”! Me punën dhe talentin tuaj po nderoni traditën shqiptare dhe po bëni krenar çdo zemër kurbinase./ Lulzim Dedgjonaj

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy