Në Tuz nis Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit `Rapsha 2026`

by Nexhat

Në Vitojë të Drumit, në komunën e Tuzit në Mal të Zi, sonte nis edicioni i shtatë i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore që mbledh shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Festivali do të zgjasë tri net dhe do të sjellë në skenë rreth 20 grupe dhe shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, trevat shqiptare në Mal të Zi, si dhe pjesëmarrës nga diaspora, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

banner

Drejtoresha e festivalit, Gentijana Junçaj, tha për RTK-në se përgatitjet për nisjen e edicionit të sivjetmë janë drejt përfundimit, ndërsa grupet pjesëmarrëse tashmë kanë nisur provat dhe përgatitjet e fundit.

“Gjithçka është gati. Edhe këtë vit do t’i kemi 20 grupe nga të gjitha trojet shqiptare – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe trojet shqiptare në Mal të Zi”, tha Junçaj.

Ajo theksoi se interesimi për të qenë pjesë e festivalit është gjithmonë i madh.

“Grupet pjesëmarrëse janë përzgjedhur me shumë kujdes. Janë grupe të cilat me dinjitet do ta përfaqësojnë zonën nga e cila vijnë dhe që, si gjithmonë, do ta përforcojnë festivalin tonë”, u shpreh ajo.

Festivali “Rapsha”, i cili organizohet çdo katër vjet, financohet kryesisht me mbështetjen e diasporës shqiptare, veçanërisht asaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetje për organizimin ofrojnë edhe Komuna e Tuzit, donatorë dhe biznese private nga Malësia.

Performancat e shoqërive kulturo-artistike do të vlerësohen nga një juri me përfaqësues nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Në fund të festivalit do të ndahen çmime në disa kategori, përfshirë instrumentistin, kërcimtarin, vallen, koreografinë dhe rapsodin më të mirë, si dhe çmimet kryesore të festivalit.

Për tri net me radhë, Vitoja e Drumit në Tuz pritet të shndërrohet në një qendër të folklorit dhe kulturës shqiptare, duke bashkuar artistë, valltarë, rapsodë dhe adhurues të traditës nga të gjitha trojet shqiptare/RTK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy