Sulmet e fundit amerikane ndaj Iranit e kanë bërë armëpushimin e përkohshëm mes Teheranit dhe Washingtonit “të pakuptimtë” dhe “joefektiv”, thanë sot zyrtarë të lartë iranianë.
“Përgjegjësia e plotë për pasojat e këtyre veprimeve të paligjshme dhe të rrezikshme bie mbi Shtetet e Bashkuara dhe çdo palë që merr pjesë, i lehtëson ose i ndihmon ato”, shkroi në X zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi.
Edhe ushtria iraniane ka kryer sulme hakmarrëse duke pasur në shënjestër baza amerikane në rajon.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, gjithashtu vuri në dyshim statusin e armëpushimit të brishtë, shkruan CNN.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Republikës Islamike të Iranit (IRNA), ai i tha sot në një bisedë telefonike shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, se Teherani i konsideron sulmet e fundit të Uashingtonit si një “shkelje të qartë” të së drejtës ndërkombëtare, të cilat “e kanë bërë armëpushimin joefektiv”.
Në një tjetër mesazh dënues, një këshilltar i rëndësishëm ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit, Mohsen Rezaei, tha se Washingtoni duhet ose të pranojë kushtet e Iranit ose të rrezikojë të humbasë “grimcën e fundit të besueshmërisë së tij në botë”. Ai nuk specifikoi se cilave “kushte” iu referohej.
Presidenti amerikan Donald Trump “imagjinon se bombat mund ta nxjerrin nga këneta që ai vetë e krijoi”, tha Rezaei. “Por raketat iraniane do ta fundosin edhe më thellë në të”.

