Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se marrëveshja për t’i dhënë fund përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit pritet të nënshkruhet sot, ndërsa autoritetet iraniane kanë shprehur dyshime lidhur me afatin e finalizimit të saj, raportoi BBC.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se, sapo marrëveshja të hyjë në fuqi, Ngushtica e Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë – do të jetë “e hapur për të gjithë”.
Edhe Pakistani, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues, deklaroi dje se marrëveshja ka gjasa të finalizohet brenda 24 orëve dhe se po bëhen përgatitjet për nënshkrimin elektronik të saj.
Megjithatë, përpara deklaratave të Trump, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, u tregua i rezervuar për afatin kohor.
“Duhet të presim dhe të shohim datën e saktë të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, megjithëse kjo nuk do të ndodhë nesër”, tha ai.
“Marrëveshja është planifikuar të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pas nënshkrimit të saj, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë”, tha Trump në “Truth Social”.
Duke iu referuar dukshëm rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, presidenti amerikan shtoi se, “në momentin e duhur, kur gjithçka të jetë qetësuar, ne do të marrim ‘pluhurin bërthamor’, i cili më pas do të shkatërrohet”.
Për dekada me radhë, Irani është akuzuar nga vendet perëndimore, se synon të ndërtojë armë bërthamore.
Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, si prodhimi i energjisë elektrike dhe kërkimi shkencor.
Trump paralajmëroi gjithashtu se, nëse procesi nuk do të ecë “shpejt, lehtë dhe pa probleme”, Uashingtoni ka “alternativën përfundimtare”, të cilën ai shpreson të mos jetë e nevojshme të përdoret përsëri.
Më herët, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, deklaroi se palët janë “më afër se kurrë” një marrëveshjeje paqeje.
“Me finalizimin që pritet brenda 24 orëve të ardhshme, Pakistani po përgatitet për nënshkrimin elektronik të marrëveshjes së paqes, i cili do të pasohet nga bisedime teknike javën e ardhshme”, shkroi ai në rrjetin X.
Të premten, ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi se një marrëveshje me SHBA-në ishte pranë finakizimit.
Sipas tij, marrëveshja parashikon edhe përfundimin e konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
Araghchi tha për televizionin shtetëror iranian se marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Megjithatë, ai theksoi se negociatat mbi programin bërthamor të Iranit do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme.
Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar disa nga elementët e marrëveshjes, duke theksuar se përfitimet ekonomike për Iranin, do të varen nga përmbushja e detyrimeve të marra nga Teherani.
Raporte të mëparshme nga SHBA-ja sugjeruan se Libani mund të mos jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ndërsa Irani thuhet se ka insistuar për përfshirjen e tij.
Në muajt e fundit, variante të ndryshme të një marrëveshjeje janë konsideruar disa herë pranë finalizimit, por kanë dështuar në fazat e fundit të negociatave.
Konflikti nisi më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme në territorin iranian. Në përgjigje, Irani goditi Izraelin dhe shtete aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, duke çuar gjithashtu në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Megjithëse palët ranë dakord për një armëpushim në prill, SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimet sporadike të sulmeve, përfshirë dy raunde goditjesh reciproke gjatë kësaj jave

