Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka njoftuar planet e reja të qeverisë për ndalimin e qasjes në mediat sociale për personat nën moshën 16 vjeç, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetin e tyre mendor.
Duke folur nga Downing Street, Starmer theksoi se përdorimi i rrjeteve sociale po ka ndikim gjithnjë e më negativ te të rinjtë, ku si pasojë janë rritur rastet e ngacmimeve online.
“Mediat sociale i bëjnë fëmijët të pakënaqur, ua bëjnë më të lehtë ngacmuesve t’i abuzojnë dhe mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor,” deklaroi ai, duke shtuar se propozimi i ri shkon përtej rregulloreve ekzistuese në disa vende të tjera.

