Núñez, i cili aktualisht ndodhet në Kupën e Botës, u largua nga Liverpooli në gusht të vitit 2025, duke u transferuar te Al-Hilal për 46.3 milionë funte pas tre sezonesh të vështira në “Anfield”.
Sulmuesi 26-vjeçar pati paraqitje të paqëndrueshme te Liverpooli, por gjithsesi arriti të shënojë 40 gola dhe 26 asistime në 143 ndeshje, duke ndihmuar klubin të fitojë Premierligën më 2025.
Që prej kalimit në Arabinë Saudite, ai ka shënuar 9 gola në 24 ndeshje për Al-Hilal, që sezonin e kaluar përfundoi i dyti pas skuadrës së Cristiano Ronaldo, Al Nassr.
Në fillim të qershorit, raportime nga Uruguai pretenduan se Núñez mund të kthehej në Liverpool këtë verë, por gazetari Fabrizio Romano e hodhi poshtë këtë mundësi, duke thënë se nuk ka asgjë konkrete mes palëve.
Edhe “The Athletic” ka raportuar një qëndrim të ngjashëm, duke theksuar se një rikthim në “Anfield” nuk është i mundshëm për momentin.
Megjithatë, sipas “Tuttosport”, trajneri i ri i Milanit, Rúben Amorim, është i interesuar ta sjellë Núñez në “San Siro”.
Në të njëjtën kohë, “La Gazzetta dello Sport” raporton se Amorimi është gjithashtu i interesuar për sulmuesin e Paris Saint-Germain, Gonçalo Ramos.
PSG e vlerëson Ramos rreth 40 milionë euro, ndërsa Milani po shqyrton edhe një huazim me detyrim blerjeje në vitin 2027.
Si Núñez ashtu edhe Ramos kanë kontrata deri në vitin 2028, gjë që e bën çdo transferim të mundshëm të kushtueshëm dhe të ndërlikuar.

