Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps, nuk do të jetë në gjendje të drejtojë stërvitjet e ekipit dhe as të ulet në stolin e “Gjelave” për ndeshjen e ardhshme ndaj Norvegjisë në Kupën e Botës.
Federata Franceze e Futbollit ka njoftuar se Deschamps ka marrë mëngjesin e së martës lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të nënës së tij. Për këtë arsye, ai do të kthehet në Francë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Pas një marrëveshjeje me presidentin e Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, përgjegjësia për drejtimin e ekipit i është besuar ndihmësit të tij, Guy Stéphan, i cili do të udhëheqë skuadrën deri në rikthimin e selektorit.
Në komunikatën zyrtare, Federata Franceze i shprehu mbështetjen e plotë Deschamps dhe familjes së tij në këtë moment të vështirë, duke i uruar forcë dhe kurajë për të përballuar humbjen.
Ndeshja mes Francës dhe Norvegjisë do të zhvillohet të premten dhe do të jetë përballja e fundit e francezëve në fazën e grupeve të Kupës së Botës.

