Mbrojtësi italian, Alessio Romagnoli, është shumë pranë nisjes së një aventure të re në Katar.
Lazio ka arritur marrëveshje me klubin katarian Al Sadd për transferimin e qendërmbrojtësit 31-vjeçar, duke i dhënë fund një sage që kishte nisur që në afatin kalimtar të janarit.
Sipas mediave italiane, marrëveshja mes klubeve është mbyllur për rreth 3 milionë euro, ndërsa Romagnoli pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare me pagë rreth 6 milionë euro në sezon.
Ish-kapiteni i Milanit iu bashkua Lazios në vitin 2022 dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në katër sezonet e fundit. Megjithatë, raportet e tensionuara me drejtuesit e klubit dhe mungesa e marrëveshjes për rinovimin e kontratës çuan drejt largimit të tij.
Kalimi te Al Sadd do t’i sjellë Romagnolit një nga kontratat më fitimprurëse të karrierës, ndërsa klubi katarian vazhdon të forcohet me emra të njohur të futbollit evropian.

