Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka mbrojtur fuqishëm kapitenin Kylian Mbappe, duke deklaruar se sulmuesi i Real Madridit është “në një mision” për ta udhëhequr Francën drejt një tjetër triumfi në Kupën e Botës.
Deschamps: Mbappe është lideri i Francës
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së 1/16-ave ndaj Suedisë, Deschamps vlerësoi rolin e Mbappes si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Sipas trajnerit francez, kapiteni i “Les Bleus” nuk është i shpërqendruar nga zhurma mediatike apo karriera e tij në nivel klubesh, por është plotësisht i fokusuar te objektivi për ta çuar Francën drejt suksesit.

“Kylian di edhe të mbrojë. Ai vazhdon të shënojë më shumë se të tjerët. E kam thënë që në ditën e parë: ai është në një mision. Edhe në ushtrimet fizike ishte i pari. E kam thënë prej kohësh se ai e ka marrë me përgjegjësi rolin e kapitenit. Imazhi që njerëzit kanë për të nga jashtë rrallëherë përputhet me atë që ai është në të vërtetë”, u shpreh Deschamps.
Një lojtar i jashtëzakonshëm
Trajneri francez theksoi se Mbappe vazhdon të përmirësohet çdo vit dhe nuk ndalet së thyeri rekorde.
“Ai vazhdon të shënojë dhe të japë asistime. Në vitin 2018 ishte tashmë shumë i fortë, por gjithmonë kërkon të bëhet edhe më i mirë. Thyen rekorde dhe do të thyejë edhe të tjera. Mund të humbasë një rast apo të gabojë një kontroll, por nuk dorëzohet kurrë. Ai i përket kategorisë së lojtarëve të jashtëzakonshëm dhe është fat që është francez”, shtoi Deschamps.

Mbappe vazhdon të shkruajë histori
Mbappe ka realizuar katër gola në Kupën e Botës 2026 dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve, pas Lionel Messit që kryeson me gjashtë gola.
Sulmuesi 27-vjeçar ka arritur gjithashtu në kuotën e 16 golave në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar Miroslav Klosen në vendin e dytë të renditjes historike, ndërsa Messi mban vendin e parë me 19 gola.
Gjatë këtij Botërori, Mbappe u bë edhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze, duke arritur në 60 gola dhe duke lënë pas Olivier Giroud, i cili kishte mbajtur rekordin me 57 realizime.

