Mbyllja e “Vitës”, reagon LBK: Bizneset nuk janë objekt eksperimentesh politike

by Nexhat

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj mbylljes së qumështores “Vita”, duke e cilësuar këtë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë së vendit, prodhimit vendor dhe klimës së të bërit biznes, pas vërsuljes së pushtetit të Albin Kurtit ndaj kompanisë.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, tha se “Vita” është një nga prodhuesit më të rëndësishëm vendorë, e cila sipas tij i posedon të gjitha certifikatat dhe i plotëson standardet e kërkuara për operim, transmeton Klankosova.tv.

“Mbyllja e Qumështores VITA nuk është vetëm çështje e një kompanie, por një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Kur një prodhues që i plotëson standardet dhe posedon të gjitha certifikatat përballet me masa të tilla, dëmtohet besimi në institucionet dhe në klimën e të bërit biznes. Çdo ministër dhe zyrtar institucional duhet ta kuptojë se vendime të tilla nuk i bëjnë nder as institucioneve, as politikës dhe as Republikës së Kosovës”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.

banner

Ai theksoi se pasojat e këtij vendimi nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe qindra punëtorë, fermerë dhe furnizues që janë të lidhur me zinxhirin e prodhimit të qumështit.

“Mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë rrezikon qindra vende pune, dëmton fermerët dhe gjithë zinxhirin e furnizimit. Këto veprime po e dobësojnë prodhimin vendor, po rrezikojnë humbjen e tregjeve të brendshme dhe të jashtme dhe po krijojnë hapësirë për rritjen e importeve në vend të mbështetjes së prodhuesve tanë”, u shpreh ai.

Sipas Dreshajt, zhvillime të tilla përbëjnë një sinjal negativ edhe për investitorët vendorë dhe të huaj, duke cenuar stabilitetin ekonomik dhe besimin në mjedisin e biznesit në Kosovë.

“Institucionet duhet ta kuptojnë qartë: bizneset nuk janë objekt eksperimentesh politike apo vendimesh që shkatërrojnë prodhimin vendor. Kosova nuk ndërtohet duke i mbyllur fabrikat, por duke i mbrojtur ato. Sundimi i ligjit – PO Por jo selektivitet, jo presion dhe jo vendime që shkatërrojnë ekonominë Mjaft më me qasje që dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe klimën e biznesit në vend”, theksoi kryetari i LBK-së.

Në fund, Dreshaj bëri të ditur se Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të prodhuesve vendorë, vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit, duke u bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi dhe në interes të ekonomisë së Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy