Deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, tha se ka marrë titullin akademik doktor i shkencave të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka publikuar edhe pjesë nga mbrojtja e këtij titulli, derisa profesorët ia lavdërojnë punimin e temës së diplomës me “tipare akademike”.
“Me krenari dhe emocion të veçantë ju njoftoj se, pas një rrugëtimi të gjatë, disa-vjeçar dhe intensiv akademik, kam përmbyllur me sukses mbrojtjen publike të disertacionit të doktoratës dhe kam fituar titullin akademik Doktor i Shkencave të Ekonomisë, në fushën Banka, Financa dhe Kontabilitet. Ky nuk është vetëm përfundimi i një cikli studimesh, por kurorëzimi i viteve të punës, kërkimit shkencor, sakrificës, disiplinës dhe përkushtimit ndaj dijes. Ky kapitull i karrierës akademike më jep përgjegjësi shtesë për angazhimin tim shkencor”.
Geci tha se tash pas përfundimit të këtij “rrugëtimi akademik”, do të angazhohem më shumë në politikë, duke thënë se ka qenë i kufizuar nga “ngarkesa e madhe akademike”.
“Energjinë dhe përvojën e fituar ta përqendroj edhe më intensivisht në angazhimin politik dhe institucional. Përgjatë viteve të studimeve të doktoratës, ngarkesa e madhe akademike dhe kërkimore më ka kufizuar kohën për angazhime të tjera. Sot, me këtë kapitull të përmbyllur, jam i gatshëm të sjell më shumë nga përgatitja ime profesionale, akademike dhe ndërkombëtare në shërbim të publikut”.
Geci ishte bërë qendër e kritikave pasi në një fjalim që kishte mbajtur në Kuvend kishte ngecje në lexim.

