Rama: Mbyllja e “Vitës” është alarm për ekonominë, Kosova po paguan çmimin e izolimit

by Nexhat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së qumështit “Vita”, duke e cilësuar këtë zhvillim si pasojë të politikave të Qeverisë së Kosovës dhe të izolimit të vendit në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Përmes një reagimi publik, Rama tha se bilanci i qeverisjes aktuale është “izolim, sanksione, humbje fondesh dhe mbyllje fabrikash”, duke shtuar se koston e këtyre politikave po e paguajnë qytetarët.

“Ky është bilanci i një politike që u shit si ‘patriotike’, por që sot po e paguajnë qytetarët e Kosovës. Bashkimi Evropian po ridrejton fondet drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova mbetet jashtë. Qeveria e Albin Kurtit na ka lënë nën masa ndëshkuese dhe larg partnerëve tanë,” ka shkruar Rama.

banner

Ai u ndal edhe te rasti i qumështores “Vita”, duke theksuar se pasojat e vendimeve të qeverisë po reflektohen te bizneset dhe punëtorët.

“E kur flasim për pasojat, sot e pagoi fabrika e qumështit ‘Vita’. E pësuan punëtorët. E pësuan fermerët. E pësuan pronarët. Nesër kush?”, është shprehur ai.

Sipas Ramës, Kosova po humb investime, vende pune dhe mbështetjen e partnerëve strategjikë, ndërsa kritikoi edhe refuzimin e projektit amerikan për gazin.

“Po humbim investime, po humbim vende pune, po humbim dinjitetin ekonomik të vendit. Ndërkohë, kjo qeveri po përpiqet t’i mbajë qytetarët peng të lëmoshave dhe premtimeve elektorale prej 100 eurosh, në vend që t’u krijojë mundësi për të jetuar me punën e tyre,” deklaroi Rama.

Në fund, ai e cilësoi situatën si pasojë të një qeverisjeje që, sipas tij, është “autokrate, e paaftë dhe papunëtore”, duke e përmbyllur reagimin me fjalën: “Mjerim!”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy