Arben Loshi kundërshton vendimin për përsëritje të konkursit për Sekretar të Kuvendit, i refuzohet ankesa nga KPMSHCK

by Nexhat

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ka refuzuar ankesën e zyrtarit të Kuvendit, Arben Loshi, i cili ka kundërshtuar vendimin për ripërtëritjen e konkursit për Sekretar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ky vendim për përsëritje të konkursit ishte marrë pasi dy kandidatët e kualifikuar për votim në Kryesi të Kuvendit, vetë Arben Loshi dhe Taulant Bajrami, nuk kishin marrë asnjëri shumicën e votave të Kryesisë së Kuvendit .

banner

Loshi në ankesën e tij kishte deklaruar se procedura e pranimit për pozitën e Sekretarit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari.

“Ankuesi në ankesën e parashtruar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kundërshton Vendimin me Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke pretenduar se akti i kontestuar karakterizohet me mungesë të bazës ligjore për rihapje të konkursit, sepse, procedura e pranimit përfundon me propozimin e kandidatëve fitues tek titullari/mbikëqyrësi, e që në rastin konkret procedura për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pasi që e njëjta ka kaluar të gjitha fazat, kështu që, një procedurë mund të përfundoj vetëm sipas nenit 47 paragrafi 11 të LZP-së si lex specialis. Shton se rihapja e konkursit dhe mos përzgjedhja e një kandidati është në kundërshtim të plotë me LZP-në. Më tej, ankuesi pretendon se vendimi i kontestuar nuk përmban elementet e detyrueshme të aktit administrativ siç parashihet me nenin 47 të LPPA-së, pasi që akti nuk përbën arsyetim dhe as këshill juridik. Kërkon që të aprovohet ankesa, të anulohet vendimi i kontestuar dhe të obligohet Kryesia e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë procedurën duke përzgjedhur njërin nga kandidatët e propozuar”, thuhet në dokument.

Derisa Kolegji ka argumentar se nuk është shkelur asnjë Ligj me vendimin për shpalljen e konkursit.

“Referuar kuadrit ligjor si më sipër, dhe në kontekst të pretendimit ankimor se organizmi i një procedure të re të rekrutimit për pozitën respektive mund të bëhet vetëm në rastet siç përcaktohet me nenin 47 paragrafi 11 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, Kolegji konstaton se një procedurë e caktuar e pranimit mund të përfundojë në çdo fazë, duke filluar në fazën e verifikimit paraprak nëse asnjë nga kandidatët aplikues s’ka përmbushur kriteret formale për pozitën e shpallur, apo nëse testin me shkrim (faza e vlerësimit) nuk e kalon asnjë kandidat, rrethana këto që Mutatis mutandis aplikohen sikurse në rastin ku asnjë kandidat nuk arrin 70 pikë, si pikë të nevojshme për t’u konsideruar kandidat i suksesshëm, rrjedhimisht në çdo rast vie në shprehje instituti i përfundimit të procedurës pa kandidat fitues dhe mbi këtë bazë urdhërohet shpallja e re e konkursit”, thuhet në vendim.

“Nisur nga kuadri ligjor si më sipër, e meqenëse se në rastin konkret nuk kemi të drejtë të fituar qoftë nga ankuesi apo kandidati tjetër, pasi që të njëjtit janë shpallur vetëm si kandidatë të suksesshëm, Kolegji arrin në përfundimin se mungesa e arsyetimit nuk e bënë aktin e kontestuar si të paligjshëm. Për më tepër, Vendimi Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është fakt që nuk përmban këshillë juridike, por, në mungesë të këtij elementi pala ankuese nuk humb të drejtën në mjet juridik, pasi që, një akt administrativ mund të kontestohet edhe në mungesë të këshillës juridike siç parashihet me nenin 127 paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, 3. Nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion, apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, është tre (3) muaj. E në rastin konkret ankuesi ka shfrytëzuara të drejtën e ankimimit të Vendimit Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.Përmbledhur si më lartë, Kolegji vlerëson se pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, ndërsa vendimi i goditur me ankesë gjegjësisht Vendimi me Nr. 10-V-007, i datës 30.03.2026, i Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk vërtetohet të jetë i përshirë me shkelje ligjore, andaj, bazuar në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe në mbështetje të nenit 132, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, shton tutje vendimi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy