Punëtorët e Trepçës, të cilët çdo ditë rrezikojnë jetën jetën brenda minierës, po përballen me një tjetër realitet shqetësues, kushte të rënda higjieno-sanitare.
Pamjet e siguruara nga Klan Kosova shfaqin tualete dhe ambiente për pastrimin e minatorëve në gjendje të tmerrshme.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi e konfirmoi se gjendja në këto hapësira nuk është e mirë dhe bëri të ditur se si sindikatë kanë bërë kërkesë në menaxhmentin e ndërmarrjes për përmirësimin e këtyre kushteve.
“Kam bërë disa kërkesa ndaj menaxhmentit dhe jemi në procedurë. Si sindikatë jemi drejtuar me kërkesë dhe kemi diskutuar me kryeshefin ekzekutiv dhe ai ka pranuar që të bëhet një ndërhyrje dhe është formuar një komision prej vet menaxhmentit të minierës dhe është mbetë vetëm me u dorëzu kërkesa dhe me u hap tenderi. Kërkesa është bërë para rreth 2 muajve. Gjendja është më e rëndë e tualeteve dhe banjove, janë renovuar para 3-4 viteve”, tha ai.
Edhe pse sindikata ka alarmuar, menaxhmenti po hesht.
Klankosova.tv ka tentuar të kontaktojë edhe me ushtruesin e detyrës së sekretarit të Trepça Sh.A, Arianit Voca, por i njëjti s’ka kthyer përgjigje.
Redaksia i është drejtuar edhe ndërmarrjes, për të marrë një prononcim lidhur me këtë rast, por akoma nuk janë deklaruar.

