Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj tha se Prokuroria që ai udhëheq, kohën e fundit ka trajtuar disa raste të natyrës sensitive dhe shumë të rëndësishme. Tha se shumica prej tyre lidhen me bashkëpunim juridik-ndërkombëtar.
Në një konferencë për medie, Isufaj tha se më 30 qershor, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e PSRK-së, kanë kryer disa bastisje në kuadër të një operacioni kundër krimit të organizuar. Ky operacion, ai tha se u organizua në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të parave të nxjerra nga trafikimi i drogës nga autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuara nga EUROPOL-I dhe EUROJUST-i.
Në kuadër të këtij rasti, ai tha se në shtator 2025 ishin arrestuar dy persona për pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shpëlarja e parave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ju njoftoj, se luftimi i krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt, është një përparësi e vazhdueshme e Prokurorisë Speciale”, tha Isufaj.
Ai shtoi se operacioni i zhvilluar më 30 qershor të këtij viti, dërgon një mesazh të qartë se PSRK-ja do të veprojë me vendosmëri me autoritetet tjera të zbatimit të ligjit.
Kryeprokurori përmendi edhe realizimin e operacionit “White Star”, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave për krim të organizuar me shpërndarje të narkotikëve dhe shpëlarje të parash.
Lidhur me këtë rast, ai tha se në një tjetër operacion të zhvilluar në prill, u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan 17 kg e 900 gramë heroinë.
Ndërkaq, në operacionin “Mega”, ai tha se u arrestuan tre persona për financim të terrorizmit, furnizim me armë e shpërndarje të narkotikëve.
Po ashtu, tjetër operacion i suksesshëm ai tha se u zhvillua në korrik, ku u arrestuan 9 persona për shpëlarje parash, kontrabandim të mallrave, krim të organizuar, dokumente të rrejshme lidhur me tatimin dhe shmangie nga tatimi.
Në janar të këtij viti, Isufaj tha se PSRK-ja ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, i cili njëkohësisht u zhvillua edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali e Rumani, e i cili mundësoi eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Kryeprokurori Isufaj tha se këto raste do të hetohen nga PSRK-ja dhe hetuesit e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese.
Më tej, Isufaj përmendi se në katër raste të spiunazhit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë katër persona, kurse raste të tjera janë në proces. Tha se aktgjykim fajësues u shpall edhe në rastin “Banjska”, “400 kg kokainë”, e në disa raste të tjera të krimeve të luftës. Ndërkaq, shtoi se do të fillojë shqyrtimi gjyqësor në rastin “Ibër Lepenci”.
Blerim Isufaj tha se për masakrën e Reçakut u arrestuan pesë persona, kurse pesë të tjerë në Syriganë si të dyshuar për krime lufte.
“Hetimet që lidhen me lagjen dhe familjen Jashari së shpejti do të finalizohen. Vlen të përmendet se gjatë kësaj periudhe kemi dorëzuar në gjykatë edhe aktakuzën në rastin e barrikadave. Aktakuzat tjera do të finalizohen në fund të këtij viti”, u shpreh ai.
Ai përmendi edhe rastin “Qielli i Thyer”, ku 37 të dyshuar janë në paraburgim, ndërkaq 14 të pandehur tjerë në raste të korrupsionit janë në paraburgim.
“Prokuroria Speciale është përkushtuar në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe për të hetuar krimet e luftës”, deklaroi Isufaj.

