Opinionisti Rrahman Paçarizi sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur lidhur me procesin e formimit të institucioneve të vendit, duke ngritur dilema për mënyrën se si po shfrytëzohen afatet kushtetuese dhe hapësirat politike.
Sipas Paçarizit, Lëvizja Vetëvendosje mund të lëvizë brenda afateve të përcaktuara për zgjedhjen e presidentit, duke i përdorur ato në mënyrë taktike.
“Këtu mund të lëvizë Lëvizja Vetëvendosje brenda atyre afateve. Mund ta, si me thënë, mund ta kurdisë çështjen e afateve, mund ta çojë zgjedhjen e presidentit brenda javës, por mund ta shfrytëzojë të gjithë hapësirën në dispozicion që është, më duket, 60 ditë nga dita e konstituimit të Kuvendit apo pas zgjedhjes së Qeverisë. Në këtë hapësirë unë kam frikë që po manipulohet, apo ndoshta edhe po taktizohet”, tha Paçarizi.
Ai gjithashtu tha se numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit nuk kanë qenë të siguruar as më herët dhe nuk janë as tani.
Lidhur me këtë, ai u shpreh se nuk ka bashkëpunim apo marrëveshje, por sipas tij, ka një arrogancë nga ana e qeverisë në detyrë.
“80 as s’kanë qenë atëherë, as janë tash. 80 vota për presidentin nuk kanë qenë në asnjërin rast. Tash edhe deklarimet e partive politike janë të tilla që sigurisht nuk do të hyjnë në një marrëveshje të tillë për ta zgjedhur një president konsensual. Ndërkohë që të gjitha pozitat e tjera i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, domethënë nuk ka bashkëpunim, nuk ka marrëveshje, ka një arrogancë nga ana e qeverisë, por si do të shkojë loja më tutje nuk e di. Po i them lojë të qëllimshme sepse duket që është lojë”, deklaroi ai

