Apeli ia ul dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së, vërtetohet pjesa tjetër e vendimit

by Nexhat

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit ia ka zbutur dënimin Dejan Pantiqit nga 2 në 1 vit burgim lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës. Kurse, vërtetoi pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq u dënuan me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq. Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, Milenkoviq dhe Vllajiq me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Kujtojmë se Vllajiq më 5 qershor 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor edhe për veprën penale të spiunazhit, duke u dënuar me 5 vjet burgim pasi kishte pranuar se ishte agjent i BIA-s.

Lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, Apeli kishte mbajtur seancë për të dëgjuar pretendimet ankimore të palëve më 28 prill 2026.

Vendimi i shkallës së dytë del të jetë marrë nga trupi gjykues me këtë përbërje: Ferit Osmani- kryetar i kolegjit, Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti- anëtarë.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin Milun Milenkoviq:

Sipas vendimit të Apelit, në raport me ankesën e mbrojtësit të Milenkoviq, Gjykata ka gjetur se në dispozitiv të vendimit nuk kërkohet që shprehimisht të theksohet forma e fajësisë, por mjafton që të përmbajë përshkrim të qartë të veprës penale dhe të gjitha faktet dhe rrethanat.

E që në rastin konkret, forma e fajësisë sipas Apelit, nuk përcaktohet në mënyrë formale vetëm nga përdorimi i termave “dashje e drejtpërdrejtë” apo “dashje eventuale”, por nxirret nga përshkrimi faktik i veprimeve të të akuzuarit, mënyra e realizimit të tyre, sjellja e tij para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës, si dhe nga tërësia e provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas Apelit, provat e administruara gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në shkallë të parë nuk qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra, por krijojnë një zinxhir të pandërprerë provues.

Kështu, sipas Apelit, nga ndërlidhja e tyre rezulton se i akuzuari Milun Milenkoviq ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet vendimtare të zhvillimit të ngjarjes: në fazën e grumbullimit të grupit, në momentin e eskalimit pranë automjetit të emergjencës dhe më pas gjatë lëvizjes së koordinuar drejt objektit që u sulmua.

Apeli në vendim ka theksuar se si Gjykatë i pranon në tërësi si të drejta dhe të bazuara gjetjet e Themelores, është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari Milenkoviq nuk ka qenë vetëm i pranishëm në vendin e ngjarjes, por ka marrë pjesë aktivisht në realizimin e sulmit të organizuar ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Tutje, Apelit e ka gjetur të pabazuar pretendimin se fajësia e të akuzuarit Milenkoviq nuk është e mbështetur në asnjë provë materiale apo personale, pasi që bazuar në provat e lëndës të njëjtat krijojnë një zinxhir logjik dhe të pandërprerë provues që çon në përfundim se i akuzuari Milun Milenkoviq ka marrë pjesë në kryerjen e veprës terroriste.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin Alesandër Vllajiq:

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë bindëse praninë e të akuzuarit Vllajiq në vendngjarje më 6 dhjetor 2022 në bashkëkryerje me të akuzuarin në këtë çështje penale Milenkoviq dhe të dyshuarit tjerë në arrati.

Më tej, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka ndërtuar një gjendje faktike të qëndrueshme, të qartë dhe të mbështetur në prova të ndërsjella, të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën dhe e përjashtojnë çdo dyshim të arsyeshëm për pasivitetin ose rastësinë e pranisë së të akuzuarit Vllajiq.

Në vendim thuhet se nga të gjitha provat del se Aleksandar Vllajiq ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ka vëzhguar, ka fotografuar, ka komunikuar me telefon në momentin vendimtar të ardhjes së policisë dhe të zyrtarëve zgjedhorë, si dhe ka ndihmuar në mobilizimin e mëtejshëm të turmës.

Prandaj, sipas Apelit gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të besueshme, ndërsa pretendimet e mbrojtjes nuk e rrëzojnë as në aspektin faktik e as në atë logjik e juridik konkluzionin e arritur nga gjykata e shkallës së parë./BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy