Sot, bashkatdhetarët në diasporë pritet të mblidhen në disa qytete të Evropës në kuadër të protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Protestat me moton “Jo në emrin tim”, do të mbahen sot në Londër, Oslo, Gjenevë, Trevison, Lindau dhe Shkup.
Protesta në Shkup, do të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu”, prej orës 14:00, ndërsa në Londër, protesta është planifikuar nga ora 15:00 deri në 18:00, në Richmond Terrace, ndërsa në Oslo tubimi pritet të mbahet nga ora 13:00 deri në 14:00 në Eidsvolls Plass.
Ndërsa, sonte, prej orës 21:00, qytetarët pritet të mblidhen sërish në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, për natën e 12-të radhazi, me moton “Jo në emrin tim”, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë.
Dje, në Ulm, Frankfurt e Hamburg të Gjermanisë dhe në Kansalaistori të Helsinkit në Finlandë, u organizuan protesta nga diaspora shqiptare, transmeton KosovaPress.
Këto protesta kanë qëllim kundërshtimin e vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

