FIFA ka marrë vendimin përfundimtar lidhur me kartonin e kuq të Jarell Quansah gjatë fitores së Anglisë ndaj Meksikës në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Anglia u detyrua të mbrojë epërsinë me 10 futbollistë në stadiumin “Azteca” në Mexico City, në një ndeshje që u ndërpre për një orë për shkak të kushteve atmosferike dhe u zhvillua në një lartësi prej rreth 2.200 metrash mbi nivelin e detit.
Quansah u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Jesus Gallardos.
Pavarësisht kësaj, skuadra e Thomas Tuchelit fitoi 3-2 dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku do të përballet me Norvegjinë në Miami.
Mbrojtësi i Bayer Leverkusenit luajti si mbrojtës i djathtë, një repart që është kthyer në problem për Tuchelin, veçanërisht pas dëmtimit të Reece James.
Edhe pse Anglia pret që mbrojtësi i Chelseat të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Norvegjisë, Federata Angleze kishte shqyrtuar mundësinë e apelimit të kartonit të kuq të Quansah.
Megjithatë, pavarësisht se ndërhyrja u konsiderua aksidentale dhe pas precedentit të krijuar nga FIFA, e cila pezulloi dënimin automatik të sulmuesit amerikan Folarin Balogun pas kartonit të kuq kundër Bosnjë e Hercegovinës, organi qeverisës i futbollit ka vendosur jo vetëm ta mbajë në fuqi pezullimin, por edhe ta zgjasë atë.
FIFA ka të drejtën të zgjerojë dënimin pas një kartoni të kuq në Kupën e Botës, por vendimi pritet të shkaktojë debat, duke pasur parasysh dallimin e madh mes trajtimit të rasteve të Quansah dhe Balogun, të cilët u përjashtuan për ndërhyrje të paqëllimshme ose të vonuara.
Sipas “ITV Sport”, Quansah është pezulluar për dy ndeshje dhe do të mungojë jo vetëm në çerekfinalen ndaj Norvegjisë, por edhe në gjysmëfinale, nëse Anglia arrin të kualifikohet, ku do të përballej me fituesin e çiftit Argjentinë – Zvicër.
“Jarell Quansah është pezulluar për dy ndeshje pas kartonit të kuq në fitoren e Anglisë ndaj Meksikës në 1/8 e finales së Kupës së Botës”, raportoi “ITV Sport”.
Ndërkohë, gazetari i “Sky Sports”, Rob Harris, shkroi në platformën “X” se Federata Angleze nuk ka mundësi ta apelojë këtë vendim.
“Sipas informacioneve, FA nuk mund të apelojë pezullimin prej dy ndeshjesh të Quansah.
FIFA e ka bërë të ditur këtë pa përmendur nenin 27, i cili u përdor për të pezulluar zbatimin e dënimit të Folarin Balogun”, tha ai.
Vendimi ka shtuar kritikat ndaj FIFA-s për mungesë konsistence në zbatimin e rregullave gjatë Kupës së Botës 2026.
Shumë analistë besojnë se Quansah ka arsye të ndihet i dëmtuar, pasi edhe pse ndërhyrja e tij meritonte karton të kuq, një pezullim shtesë prej dy ndeshjesh zakonisht rezervohet për shkelje shumë më të rënda.
Gjatë këtij Botërori, FIFA dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, janë përballur me kritika të shumta për disa vendime të diskutueshme.
Mes tyre përmenden vendosja e detyrueshme e pushimeve për hidratim pa konsultim paraprak, si dhe polemikat që kanë shoqëruar procesin e shqyrtimit të pezullimit të Folarin Balogun.
Krahasimi mes trajtimit të rasteve të Balogun dhe Quansah pritet të nxisë edhe më shumë reagime, veçanërisht nga federatat evropiane, të cilat tashmë kanë shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës së vendimmarrjes së FIFA-s

