Dardanët zhvillojnë stërvitjen e tretë, Avdyli dhe Kamberi besojnë në fitore ndaj Izraelit

by Nexhat

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet të shtunën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 15:00.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, Dardanët po vazhdojnë përgatitjet për këtë përballje, me synimin për të shënuar fitore para tifozëve të tyre.

banner

Seanca e sotme është përqendruar kryesisht në aspektin taktik. Stafi teknik ka punuar në organizimin e lojës në të dy fazat, atë defanzive dhe ofanzive, si dhe në tranzicionin nga mbrojtja në sulm dhe anasjelltas. Përmes ushtrimeve të ndryshme taktike, futbollistët kanë punuar në zbatimin e detyrave dhe kërkesave të stafit teknik në funksion të përgatitjes për përballjen me Izraelin.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë, ndërsa futbollistët shprehen optimistë për rezultatin e ndeshjes.

Milot Avdyli vlerësoi përgatitjet e deritanishme dhe theksoi se mbështetja e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë një motiv shtesë për ekipin.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Besoj që jemi përgatitur mjaft mirë. Taktikisht sot kemi ushtruar më shumë dhe besojmë që do të dalim me rezultat pozitiv. Duke marrë parasysh që do të luajmë para shikuesve tanë, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, normalisht që do të jemi edhe më të motivuar dhe besoj që do t’ia dalim me tri pikë”, u shpreh Avdyli.

Ndërkohë, Lindrit Kamberi, i cili i është bashkuar për herë të parë Kombëtares së Kosovës, tha se është pritur shumë mirë nga bashkëlojtarët dhe se përgatitjet janë duke shkuar sipas planit të përzgjedhësit Foda.

“Më kanë pritur shumë mirë. Shumicën e lojtarëve i kam njohur, shumicën tjetër i kam parë në televizor. Ka qenë shumë pozitive. Stërvitja ka qenë shumë e mirë. Trajneri na ka përgatitur kundër Izraelit, në aspektin defanziv dhe ofanziv, dhe besoj që jemi përgatitur për të shtunën”, tha Kamberi.

Sa i përket barazimit në ndeshjen e parë kundër Izraelit në Debrecen, ai theksoi se të luash në shtëpi është ndryshe dhe se Kosova ka ende kohë për t’u përgatitur sa më mirë për këtë sfidë.

“Besoj se në shtëpi është ndryshe, krahasuar me ndeshjen e kaluar që kemi pasur. Ata do të mundohen të japin maksimumin, ndërsa ne duhet të jemi të përgatitur. Besoj që kemi kohë edhe dy-tri ditë për t’u përgatitur sa më mirë dhe besoj që rezultati do të jetë pozitiv për ne”, përfundoi Kamberi.

Kosova synon t’i arkëtojë tri pikët në përballjen me Izraelin, në një ndeshje ku mbështetja e tifozëve pritet të jetë një faktor i rëndësishëm.

Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë të enjten në orën 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy