Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë ka vendosur që ta rihapë procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e ndodhur vite më parë në Gllogjan,
Kjo pasi që është gjetur një video material, që s’është propozuar fare nga Prokuroria për administrim në çështjen gjyqësore.
Në video, siç ka treguar kreu i Trupit gjykues, shihet njëri nga të akuzuarit, duke shtënë me armë zjarri në vendin e quajtur “Bjeshkë”. Gjyqtari ka sqaruar se video s’ka të bëjë me ngjarjen e vrasjes, por thotë se Prokuroria pretendon që arma me të cilën shihet duke gjuajtur njëri nga të dyshuarit është arma e përdorur për rastin e vrasjes.
“Trupi gjykues gjatë analizimit të shkresave të lëndës, gjen se në fazën e hetimeve, nga ana e Policisë, është kontrolluar vendi në bjeshkë, ku i pandehuri Kreshnik shihet në video duke gjuajtur me armë. Gjatë atij kontrolli, rezulton se janë gjetur 13 gëzhoja dhe një fishek, për të cilat është urdhëruar ekspertiza. Raporti i datës 27 07 2022, por ky raport s’është propozuar nga ana e Prokurorisë për Administrim, dhe s’është administruar fare, prandaj gjykata ka vlerësuar është me rëndësi ky raport të administrohet gjatë shqyrtimit të rihapur”, ka thënë gjyqtari, .
“Për seancën e radhës që do të rihapet, palët do të njoftohen me shkrim. Palët do të pajisen me raportin e ekspertizës”, ka thënë ai.
Gjyqtari ka sqaruar për videon në fjalë, duke thënë se është arsyeja pse është hapur gjykimi.
“Bëhet fjalë për një video që ka ndodhë, jo në vendin e ngjarjes, që ka ndodhur në bjeshkë, prej Prokurorisë është shfaqur pretendimi që me këtë armë është kryer krimi. Ne kur I kemi analizuar të gjitha shkresat e lëndës, rezulton se e gjitha gëzhojat dhe një fishek janë ekzaminuar nga Agjencia dhe kemi një raport të ekspertizës, prandaj është rihapur shqyrtimi gjyqësor. Parimisht kjo është arsyeja pse është rihapur shqyrtimi gjyqësor”, ka përfunduar ai.
Në bankën e të akuzuarve për këtë rast janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për sulmin e armatosur ndaj një autobusi më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Si pasojë e sulmit humbën jetën shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, si dhe dy nxënës 17-vjeçarë, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, ndërsa një pasagjer tjetër mbeti i plagosur.

