Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti kjo opozitare në Serbi, kërkoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, për shkak të gjuhës së urrejtjes të shprehur në “deklaratën shoviniste” se ajo do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët në vitin 1998″.
Reagimi thotë se deklarata është një avokim i vetëdijshëm i persekutimit etnik.
PSG thekson se një person që justifikon dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të kombësisë së tyre nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Serbisë dhe se është veçanërisht e rrezikshme që mesazhe të tilla vijnë nga Ministri i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, që do të duhej të garantonte barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve shtetërore dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.
“Deklarata e ministres hap gjithashtu një çështje serioze të përgjegjësisë së mundshme penale në përputhje me nenin 317 të Kodit Penal, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, vlerëson PSG, e cila pret që prokuroria publike kompetente të hetojë nëse ka elementë të asaj vepre penale në pikëpamjet e saj të shprehura publikisht.
Snezhana Paunoviq ka qenë anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992 dhe nënkryetare që nga viti 2024, sipas biografisë së saj zyrtare. Ajo u zgjodh në pozicionin e deputetes për herë të parë në vitin 2013 dhe në dy mandate mbajti pozicionin e Zëvendëskryetares së Kuvendit.
Deklarata ka nxitur reagime edhe në Kosovës.
Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.
E në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në Facebook, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.“Deklarata e Snežana Paunović, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë. Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë. Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në IKKL dokumentojmë faktet dhe dëshmitë me bindjen se ato janë themel për drejtësi, pranim të krimeve dhe kërkimfalje institucionale. Sepse përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkruhet në reagimin e Institutit në Facebook.

