Manchester Unitedi ka zyrtarizuar transferimin e Youri Tielemans nga Aston Villa në një marrëveshje me vlerë 35 milionë funte (47 milionë dollarë).
Mesfushori belg i është bashkuar “Djajve të Kuq” pas një sezoni të shkëlqyer me Aston Villan, ku luajti rol kyç në fitimin e trofeut evropian, duke i dhënë fund pritjes së gjatë të klubit për një sukses ndërkombëtar.
United ka përforcuar repartin e mesfushës me transferimin e Tielemans, i cili ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2031.
29-vjeçari mbërrin në “Old Trafford” pas një periudhe të suksesshme te Aston Villa, ndërsa së fundmi ndihmoi Belgjikën të arrinte në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 si kapiten i kombëtares.
Transferimi vjen në një verë me shumë lëvizje në mesfushën e Manchester United, ndërsa klubi po ndërton skuadrën nën drejtimin e ri.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit kishin shqyrtuar disa alternativa, madje kishin hequr dorë edhe nga transferimi i Edersonit për t’u fokusuar te objektiva të tjerë më të rëndësishëm.
Tielemans, i cili sezonin e kaluar shënoi golin e parë në fitoren e Aston Villas në finalen e Ligës së Evropës ndaj Freiburgut, shprehu krenarinë e tij për transferimin te klubi 20-herë kampion i Anglisë.
“Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë sa krenar jam që i bashkohem Manchester United. Të nënshkruaj për një klub kaq të madh është diçka e jashtëzakonshme dhe është kulmi i shumë viteve përkushtim që nga momenti kur u dashurova me futbollin.
“Kam pasur privilegjin të përjetoj suksese në futboll dhe kjo vetëm sa ma ka shtuar dëshirën për të arritur edhe më shumë. Ambicia e të gjithëve në klub është shumë e qartë. Jemi të vendosur të luftojmë për trofetë më të mëdhenj në vitet që vijnë”, deklaroi Tielemans.
Drejtori i futbollit të Manchester United, Jason Wilcox, e cilësoi belgun si profilin ideal për projektin e klubit.
“Youri ka qenë vazhdimisht një nga mesfushorët më të mirë në Premier League gjatë shtatë viteve të fundit. Ai i ka të gjitha cilësitë teknike, por edhe ambicien dhe mentalitetin për të pasur sukses te Manchester United.
“Konsistenca e tij është e jashtëzakonshme dhe ai do t’i shtojë skuadrës qetësi, kreativitet dhe lidership. Jemi shumë të lumtur që mirëpresim një lojtar me ndikimin dhe përvojën e tij, si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë një ekip që synon trofetë më të mëdhenj”, u shpreh Wilcox

