Luan Dalipi, ish-shefi i kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga analisti Dibran Hoxha në emisionin Pressing në T7, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse.
Hoxha tha parmbrëmë në Pressing se “me disa informacione të cilat duhet të verifikohen, thuhet që Albin Kurti ka qenë i informuar që disa prej njerëzve të tij të afërt janë të përfshirë në atë që ai kishte qejf t’i thoshte ‘mafi energjetike’: Besnik Bislimi dhe Luan Dalipi”.
Dalipi tha në një postim në Facebook se deklarata e Hoxhës “paraqet një shpifje të pastër dhe të rëndë, e cila tenton të dëmtojë qëllimisht reputacionin” e tij.
Ai ka mohuar gjithashtu pretendimet që lidhen me biznesin e vëllait të tij në sektorin e energjisë, duke thënë se licenca për aktivitetin është marrë rreth një vit më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji në përputhje me ligjin dhe se nuk përbën privilegj, pasi tregu është i hapur dhe licencat u jepen të gjithë operatorëve që plotësojnë kriteret. Ai paraqiti disa që i quajti “fakte të pakontestueshme”.
“Faktet e pakontestueshme: 1. Konfirmimi Zyrtar nga Zyra e BE-së: Unë i kam drejtuar një kërkesë zyrtare Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë (EUOK) për të sqaruar këtë pretendim. Sot kam pranuar përgjigjen zyrtare nga përfaqësuesi i kësaj zyre, z. Nikola Gaon, i cili konfirmon tekstualisht (përkthimi nga anglishtja): “Ju lutem vini re se Zyra e BE-së / Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë nuk ka bërë një vlerësim të tillë dhe nuk ka lëshuar një komunikim të tillë. Prandaj, atribuimi i këtij pretendimi Zyrës së BE-së / Zyrës së Përfaqësuesit Special në Kosovë është i pasaktë”. 2. E vërteta mbi licencat e energjisë: Insinuata që ndërlidhet me biznesin e vëllait tim është plotësisht e pabazë. Ai është licencuar para rreth një viti nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Kjo licencë nuk përbën asnjë privilegj; ajo i jepet çdo operatori që plotëson kriteret ligjore, në një treg privat ku numri i licencave nuk është i kufizuar dhe ku konkurrenca e lirë ndihmon në çmime më të favorshme”, shkroi Dalipi.
Sipas Dalipit, është “vërtetuar zyrtarisht” se deklarata e Hoxhës është “trillim absolut”.
Nga Hoxha, Dalipi ka dy kërkesa.
“Pasi që u vërtetua zyrtarisht se deklarata e Dibran Hoxhës është një trillim absolut i atribuar rrejshëm një institucioni kaq të rëndësishëm siç është Zyra e BE-së, unë kërkoj nga ai: • Tërheqjen e menjëhershme të deklaratës nga të gjitha platformat ku ajo qarkullon. • Kërkimfalje publike në të njëjtin format dhe medium ku është shpërndarë kjo gënjeshtër”.
Dalipi i kërkon edhe televizionit T7 që ta largojë klipin dhe ta korrigjojë “dëmin e shkaktuar”.
“Gjithashtu, i bëj thirrje televizionit T7 që, në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe përgjegjësinë editoriale, ta tërheqë nga platformat e veta klipin përkatës dhe të marrë masat e nevojshme për korrigjimin e dëmit të shkaktuar nga transmetimi i një deklarate të pavërtetuar”.
“Në rast se Dibran Hoxha nuk reflekton dhe nuk e tërheq këtë deklaratë brenda afatit ligjor, unë kam autorizuar avokatin tim që të iniciojë menjëherë padi për shpifje dhe fyerje në gjykatën kompetente, ku do të kërkohet edhe dëmshpërblimi për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit tim. Liria e shprehjes dhe e medias janë vlera të patjetërsueshme të shoqërisë sonë, por ato përfundojnë aty ku fillon shpifja e qëllimshme dhe fabrikimi i të dhënave të rreme. Ftoj qytetarët dhe mediat serioze që gjithmonë t’u referohen fakteve dhe dokumenteve zyrtare përballë insinuatave të pabaza”, shkroi Dalipi.

