Komuna e Prishtinës nis lirimin e parkingut pranë Ministrisë së Bujqësisë, pritet të ndërtohet Shkolla e Muzikës

by Nexhat

Komuna e Prishtinës ka nisur të enjten aksionin për lirimin e pronës komunale, përkatësisht parkingut pranë objektit të Ministrisë së Bujqësisë, i cili sipas zyrtarëve komunalë është shfrytëzuar në mënyrë joligjore nga persona të ndryshëm.

Drejtoria e Pronës Komunale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprimet për lirimin e hapësirës publike, e cila është paraparë për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.

banner

Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj, tha se aksioni po zhvillohet pa kundërshtime nga shfrytëzuesit aktualë të hapësirës.

“Sot Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Pronës bashkë me Drejtorinë e Inspekcionit është duke zbatuar vendimin për lirimin e pronës komunale, gjegjësisht hapësirës publike, e cila ka qenë e shfrytëzuar prej personave të caktuar në formë jolegjitime, joligjore. E kjo pronë është hapësirë publike e destinuar për ndërtimin e Shkollës së Muzikës. Ky aksion është duke shkuar mirë, realisht nuk kemi kundërshtim prej shfrytëzuesve dhe pjesën tjetër e vazhdojmë”, tha Mehmetaj.

Ai bëri të ditur se pjesa më e madhe e parcelës është pronë komunale, ndërsa një pjesë tjetër i takon Administratës Tatimore të Kosovës, për të cilën tashmë janë iniciuar procedurat e shpronësimit.

“E gjithë hapësira që po rrethohet tash në atë formë, është hapësirë e pronës komunale. Është një pjesë e pronës e ATK-së me të cilën edhe ne i kemi bërë shkresat për shpronësim dhe besoj që shumë shpejt e zgjidhim edhe atë çështje dhe pastaj fillon projekti për ndërtimin e Shkollës së Muzikës”, tha ai.

Mehmetaj paralajmëroi se aksione të ngjashme për lirimin e pronave publike do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

“E unë e kam edhe një apel se ky aksion do të vazhdojë në kryeqytet, domethënë do të lirohen të gjitha pronat që janë të shfrytëzuara në mënyrë joligale, jolegjitime. Unë i ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë drejtim, sepse është interes i përgjithshëm që këto prona t’u kthehen qytetarëve dhe të zbatohen vendimet të cilat shkojnë në interes të qytetarëve”, tha Mehmetaj

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy