Qeveria konfirmon se i ka çuar raport BE’së për t’ia treguar reformat, Zulfaj: Mos të ishte bllokada do të prinim në rajon

by Nexhat

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka njoftuar se Kosova ka dorëzuar brenda afatit zyrtar kërkesën e parë për lirimin e fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të BE-së, duke përfshirë të gjitha reformat e përfunduara deri më 30 qershor.

 Sipas tij, Bashkimi Evropian do të ketë tre muaj kohë për të vlerësuar dëshmitë e dorëzuara dhe më pas do të vendosë për lirimin e fondeve.

banner

Zulfaj tha se në kërkesë nuk janë përfshirë gjashtë hapa reformues që nuk u realizuan brenda afatit për shkak të bllokadës në Kuvend, pesë prej të cilëve lidhen me ligje që kërkonin miratim parlamentar.

Ai tha se mosfunksionimi i Kuvendit ka ngadalësuar reformat dhe ka rrezikuar fondet evropiane të dedikuara për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës, duke shtuar se hapat e papërfunduar do t’i procedohen legjislaturës së re sapo ajo të konstituohet. Zulfaj tha se po mos të kishe bllokada Kosova do të printe në rajon.

Postimi i plotë i Zulfajt:

Dje, në cilësinë time si Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, dorëzova te Bashkimi Evropian, brenda afatit zyrtar, kërkesën për lirim të fondeve për reformat e arritura deri në afatin e 30 qershorit, në kuadër të Agjendës së Reformave.

Kjo është hera e parë që dorëzojmë kërkesë zyrtare për lirim të fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, për reformat e kryera, përderisa kërkesa për parafinancim ishte dorëzuar qysh në vitin 2024 dhe fondet e parafinancimit tashmë janë liruar.

Në këtë kërkesë janë përfshirë të gjitha reformat e përfunduara që janë paraparë të arriheshin deri në fund të qershorit të këtij viti si dhe ato të cilat janë arritur para afatit.

Siç e kam bërë të ditur edhe në konferencën për media më 1 korrik, në këtë kërkesë nuk janë përfshirë 6 hapa të cilët nuk arritën të përfundoheshin deri më 30 qershor, brenda afatit shtesë, për shkak të bllokadës në Kuvend. Pesë prej tyre përmbanin ligje që duhej të kalonin në Kuvend, ndërsa një ishte hap që nuk mund ta aprovonte Qeveria në detyrë.

Nëse kuvendi do të ishte funksional, që të gjithë hapat do të arriheshin në kohë.

Kostoja e bllokadës në Kuvend është e ndjeshme, jo vetëm në ritmin e reformave që lehtësojnë e përmirësojnë jetën e qytetarëve, por edhe në fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për investime për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në BE.

Reformat janë prioritet i qeverisë. Në këtë drejtim, të gjitha ligjet që nuk kaluan në kohë do t’i përcillen legjislaturës së XI-të, sapo ajo të konstituohet.

Bashkimi Evropian ka në dispozicion tre muaj për të vlerësuar evidencën e reformave nga Kosova, dhe mbi bazën e atij vlerësimi bën edhe lirimin e fondeve.

Kërkesa e rradhës për lirim të fondeve nga Kosova do të jetë më 15 janar 2027. Deri më 31 dhjetor të këtij viti duhet të përmbushen dhjetra hapa reformash, e ku një pjesë e tyre skadojnë në fund të këtij viti.

Reformat përfshijnë ligje dhe strategji të reja që përcillen me akte nënligjore. Prandaj roli dhe përgjegjësia e Kuvendit është jetike për përfundimin e tyre në kohë.

Reformat janë kërkuese, siç është edhe vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian por institucionet e Kosovës kanë vullnetin dhe kapacitetet për të kryer çdo reformë me kohë.

Në fakt, nëse nuk do të kishim bllokadën në Kuvend, Kosova do t’i printe rajonit në përmbushjen e reformave.

Falënderoj të gjitha institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në përmbushjen e reformave për bashkëpunimin, si dhe strukturën koordinuese për procesin e integrimit evropian në Zyrën e Kryeministrit për koordinimin e procesit.

Suksesi në reforma është sukses për Kosovën.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy