Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, i organizuar në Washington D.C. nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Ai tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum është e rëndësishme pasi i mundëson vendit të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe në forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë demokratike nga këto kërcënime.
Konjufca theksoi se terrorizmi politik po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale.
“Sot në Washington D.C. mora pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ministerial është e rëndësishme, sepse i jep mundësinë vendit tonë të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë tona nga ky kërcënim. Kjo dukuri po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik. Bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për mbrojtjen e vlerave mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes e sigurisë”, ka thënë Konjufca.

