Sveçla kërkoi që Tirana të bëjë më shumë pas deklaratave të ministres serbe, deri tash deklarim s’ka as nga vetë Kurti

by Nexhat

“Si ka mundësi që nuk e thotë një çerek llafi…”

Në Kuvendin e Shqipërisë sot iu kërkua Edi Rama që ta dënojë deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik” të Kosovës nga një deputet opozitar, i cili pyeste se si është e mundur që kryeministri shqiptar të mos kishte reaguar deri tash. Presion tjetër për reagim më të ashpër Shqipërisë iu bë edhe nga një ministër i Kosovës. Xhelal Sveçla s’qe plotësisht i kënaqur me reagimin e Tiranës zyrtare. Derisa i bënte trysni Shqipërisë, shefi i tij, Albin Kurti, s’e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

banner

Një reagim “më konkret” dhe “më aktiv” ka kërkuar nga Shqipëria ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

Duke folur për Euroneës Albania, Sveçla shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me reagimin e Tiranës kundrejt kësaj deklarate.

“Duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në vetë përgatitjen apo sjelljen e çdoditshme të Serbisë, sjellje agresive. Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv”.

I pyetur nëse edhe Shqipëria duhej ta shpallte non grata Paunoviqin, Sveçla tha po “patjetër”.

“Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha Sveçla.

Megjithatë, deri më tani kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka reaguar për deklaratën e ministres serbe, e cila nxiti reagimin e Brukselit e të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar e shumë aktorëve të tjerë.

Për ta thyer heshtjen e Kurtit s’u dëgjua ndonjë kërkesë, por një e tillë e zëshme iu bë kryeministrit shqiptar Edi Rama në Parlamentin e Shqipërisë.

Atje deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke thënë se Ramës i del punë të merret me këdo për protestat, pyeti pse s’u mor me deklaratën e ministres serbe, si dhe më pas me mbrojtjen që asaj i erdhi nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Si ka mundësi që nuk e thotë një çerek llafi kur zëvendësi i mikut të tij, Vuçiq, shprehet për spastrimin etnik të Kosovës?”, tha ai, ndërsa shtoi: “Nëse kryeministri i Shqipërisë nuk mban qëndrim ndaj një deklarate për spastrimin etnik të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve, atëherë për çfarë mban qëndrim pra?”.

Kësaj deklarate i replikoi ashpër më pas shefi grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e akuzoi Ruçin për përdorimin e çështjeve kombëtare për “karagjozllëk politik”, derisa i tha se duhej “ta lajë gojën” kur flet për Edi Rama duke sjellë në vëmendje deklaratën e tij për Kosovën e pavarur në Beograd.

Sidoqoftë, pasi deklarata e Paunoviq mori vëmendje në publik, qëndrimin e Tiranës zyrtare e bëri shpejt publik ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së #Serbisë, që  shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës”, shkroi ndër të tjera Hoxha.

Në Kosovë, homologu i Hoxhës, Glauk Konjufca, në X dënoi gjuhën e ministres serbe, duke thënë se një retorikë e tillë “i madhëron krimet e luftës, rrezikon stabilitetin rajonal dhe është tërësisht e papajtueshme me vlerat evropiane, si edhe me të ardhmen evropiane.

“Heshtja nuk është një opsion. As reagimet e vakëta”, tha Konjufca, duke kërkuar reagim më të ashpër nga Bashkimi Europian.

Ky i fundit reagoi duke e dënuar deklaratën e Paunoviq përmes zëdhënëses Anitta Hipper e më pas Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se u trondit nga ajo që dëgjoi.

“Nuk ka vend në Europë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik”, tha ndër të tjera ajo. 

Edhe sot Kos tha se ishte “e habitshme që vazhdon të jetë ministre”.

Pas presionit, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë distancuese nga Kievi i Ukrainës.

“Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme. Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Sot me një deklaratë doli edhe Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme. Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndarjet e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta hedhin poshtë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë mëdyshje. Ne e marrim parasysh distancimin e presidentit Vuçiq nga këto deklarata”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy