VV përpiqet të diktojë betejën në LDK, flasin për “klane e degë të PDK brenda saj”, injorojnë vërejtjen për të mos u përzier

by Nexhat

Me rreth 150 nënshkrime të deponuara për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, në LDK pritet të nisë  procesi për zgjedhjen e një lidershipi të ri ose konfirmimi i këtij aktual. Lumir Abdixhiku tha se bashkëpartiakët po ia lakmojnë karrigen e tij, por nga Lëvizja Vetëvendosje nisën të marrin formë teoritë se PDK është e përfshirë në këtë proces të brendshëm të LDK’së – shënjestër e tyre u bënë të pakënaqurit me udhëheqjen e Abdixhikut.

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, tha se pas nismës për shkarkimin e tij ka pezulluar bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formim të institucioneve, të cilat i nisi bashkë me Vjosa Osmanin. Në një video ku e dha këtë lajm, Abdixhiku bëri përgjegjëse këtë nismë në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes dhe tha se ajo rrezikon që vendin ta çojë në zgjedhje derisa la të nënkuptonte se ishte në rrugë të mirë në negociatat me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

banner

“Në vlerat e mia, LDK do të duhej të sillej si shtëpi e interesave të qytetarëve, jo apetiteve për kryetarin e karrigen e kryetarit. Karrigen që aq shumë e lakmojnë e aq pak e kuptojnë. Le ta marrin fundja, por kanë mundur ta bëjnë më me kujdes”, tha Abdixhiku në këtë video.

Lëvizja Vetëvendosje s’u nda e kënaqur me zhvillimet brenda LDK’së.

Anëtarë të saj filluan të thonë se ata që e ndërmorën këtë nismë janë një grup i PDK’së brenda LDK’së.

Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, mbrëmë tha se ky zhvillim “patjetër se nuk është një lajm i mirë”, duke u përpjekur ta theksonte se është lajm i keq  për vendin.

“Jo për LVV, po për vendin”.

Nagavci këtu e qau hallin e vonesave në krijimin e institucioneve meqë vendi shkoi në tri palë zgjedhje në më pak se një vit e gjysmë. Megjithatë, Nagavci nuk hezitoi të potenconte se Vetëvendosje ka marrë bindshëm më shumë vota se tri partitë tjera shqiptare bashkë.

“Sepse tashmë jemi tepër vonë në konstituimin e institucioneve. Për më pak se një vit e gjysmë kemi pas tri palë zgjedhje dhe çdo vonesë e mëtutjeshme është një situatë, e cila nuk është e favorshme për vendin. Në këtë pikë, unë konsideroj ajo çka ka qenë diçka që e kemi parë edhe në të kaluarën është bashkëpunimet e klaneve, grupeve të caktuara në kuadër të LDK-së me subjekte tjera, në radhë të parë me PDK-në”, tha Nagavci mbrëmë.

Sipas Nagavcit, s’duhet të ketë shpërqendrim të deputetëve në probleme të brendshme partiake meqë duhet të jenë të vullnetshëm të formojnë institucionet. Në rast se s’ndodh kështu, sipas saj, “patjetër” që janë të lidhur me atë që sugjeroi më lart.

“Mendoj që këto zhvillime në këtë kohë kur kemi parasysh edhe mbajtjen e Kuvendit të LDK’së në janar, kur jemi në vlugun diskutimeve, kur do të duhej që të gjithë të ishim të përkushtuar për konstituimin e institucioneve, patjetër mendoj se janë të lidhura edhe në këtë drejtim.  Mendoj e pres që deputetët të gjithë do të jenë në nivel të përgjegjësive që iu kanë besuar qytetarët dhe të kontribuojnë në konstituimin e institucioneve e në rastin konkret, zgjedhjen e Presidentit”, tha ajo.

Por, një thirrje që të mos përzihen me punët e LDK’së, Vetëvendosjes i shkoi nga Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ilir Ferati.

“Nuk mendoj se Vetëvendosja ka nevojë të mendojë për punët tona. Bile i kisha bërë thirrje të mos mendojë hiç sepse i kemi njerëzit tonë, i kemi anëtarët e Kryesisë, Këshillin e Përgjithshëm e delegatët. Pra, një mori e njerëzve që kanë cka të mendojnë për LDK’në, për kryetarin. Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese. Prej anës tonë, kryetari jonë ka deklaruar dje se i pezullon takimet me ta derisa t’i kryejmë punët tona të brendshme”, iu tha ai gazetarëve.

Kjo thirrje s’u dëgjua as nga bashkëpartiakë tjerë të Nagavcit.

Deputetja e zgjedhur, Mimoza Kusari-Lila, tha në KTV se ata që po e kërkojnë shkarkimin e Abdixhikut, po përpiqen ta pengojnë finalizimin e marrëveshjes LVV-LDK.

“Ashtu e thotë logjika (se zhvillimet e brendshme në LDK çojnë më larg prej një marrëveshje për presidentin), nuk është që kam informata se cili është orientimi i grupimit tjetër që e duan tërheqjen e Abdixhikut. Por duket se kjo e shtynë, e komplikon situatën në diskutim sepse në shumicën e rasteve përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në. Këto dyja po shihen si të ndërlidhura përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve. Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për tu arritur një finalizim i një marrëveshje të përbashkët mes dy subjekteve”, ka thënë Kusari.

Ndryshe nga Nagavci që përmendi klane, deputeti tjetër i zgjedhur i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, “hapi” një degë të PDK’së brenda LDK’së.

“Në LDK para ardhjes së Abdixhikut ka ekzistuar gjithmonë një farë dege e PDK-së në LDK”.

Për këtë degë, Kraki tha se e ka pasë në synim “njëfarë sabotimi”.

“Në momentin kur kryetari i një partitë të madhe tregohet konstruktiv dhe me vullnet të mirë dhe çohen disa aty e nisin përpjekje që duken si sabotuese”, ka thënë Kraki në Tëvë1, siç raporton ky medium.

Abdixhiku në videon e tij tha se ka autorizuar nisjen e menjëhershme të procedurave të nevojshme për mbajtjen e Kuvendit.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se ka zgjedhur javën e fundit të afatit 30-ditor për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit për, siç ka thënë ajo, t’i lënë hapësirë partive politike për t’u marrë vesh për Presidentin./Gazeta Express

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy