Me rastin e fluksit të shtuar të udhëtarëve gjatë sezonit veror, stafi i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ishte sot i pranishëm në Pikën Kufitare Bajakovo, ku shpërndau ujë dhe pako ushqimore për bashkatdhetarët tanë në pritje të kalimit kufitar.
“Edhe pse kolonat e automjeteve janë të gjata, sipas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente, koha e pritjes për kalimin e kufirit aktualisht është vetëm 10–15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas”, thuhet në njoftim.
Kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit, vijon njoftimi.

