Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, sot ka dalë për vizitë në fshatin Kovragë të Istogut ku breshëri i rënë ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë të mbjellat. Derisa bujqit istogas po përballen me dëmtim të punës së tyre dhe humbje për shkak të kushteve të motit, Muja ka folur për bujqësinë e të ardhmes.
Ai ka përmendur një qendër të paralajmërimit të hershëm në mënyrë që bujqit të mos zihen në befasi dhe gjithashtu ka përmendur edhe sigurimin bujqësor.
“Ajo çfarë ne dëgjojmë nga fermerët është nëse ka vërshime, brymë apo breshër… ajo çfarë është e sigurt është që Ministria e Bujqësisë i ka rishikuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e Kosovës. Rrjetat e breshrit ishin megjithatë një mburojë, serrat ishin megjithatë një mburojë. Është e vërtetë që janë dëmtuar serrat, por kulturat bujqësore janë ruajtur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të rritet edhe vetëdija mbi nevojën e mbështetjes së sigurimit bujqësor. Unë mendoj që ky është hapi për tejkalimin e sfidave”, ka thënë Muja.
“Në ndërkohë bashkë me kryetarin u pajtuam që të eksplorojmë ndoshta themelimin e një qendre të paralajmërimit të hershëm, që bujqit tanë të mos ballafaqohen papritmas me këto situata. Na duhet të mendojmë për bujqësinë e së ardhmes. Istogu dhe bujqit e Istogut do ta tejkalojnë këtë situatë bashkërisht. Ju faleminderit të gjithëve që ishit prezentë këtu. Do të jemi në kontakt. Bashkë me kryetarin do të formojmë edhe ekipet e përbashkëta për ta tejkaluar këtë sfidë”, ka shtuar tutje Muja.

